Më në fund, një shkurt. Ose, për disa të tjerë, 74 janar. Në fakt, shumicës s’i besohet që janari mori fund dhe ka një arsye pse është muaji më i gjatë i vitit edhe pse ka 31 ditë si plot të tjerë.
Por si mund të shpjegohet që një muaj me 31 ditë zgjat më shumë se një tjetër muaj po me 31 ditë. Perceptimi i kohës është një koncept që shpjegohet me vështirësi. Ëlliam Skylark, studiues që momentalisht është fokusuar te kjo temë, thotë se “koha mendore është një njësi matëse e paqëndrueshme për kohëzgjatjen fizike.”
Secili nga ne e percepton ndryshe kohën dhe ndikohemi nga një sërë faktorësh.
Stimulantë, si kafeina, bëjnë të duket sikur koha kalon shpejt. Ndërsa filmat e frikshëm, e bëjnë kohën të kalojë ngadalë.
Ne i gjykojmë sekondat përmes orës së brendshme. Besohet se kjo orë ndodhet në një zonë të trurit të quajtur striatum, por studiuesit po kërkojnë në mos zona të tjera (sidomos hipokampusi) kanë ora paralele.
Janari, sigurisht, pason një nga muajt më të ngarkuar të vitit. Edhe dhjetori ka 31 ditë, por është i mbushur me evente që mezi i pret dhe sapo i kalove.
Zhenguang Cai, student doktorature në University College London, thotë: “Ka mundësi që rikthimi në punë pas pushimeve të Krishtlindjes, pasohet nga mërzi (krahasuar me festat) që vetë pasohet nga ideja se koha kalon më ngadalë në janar.”
Janari nga ana tjetër, ka thjesht punë. Dhe mesa duket, ky është faktori më domethënës. Kur argëtohesh, koha kalon shpejt. Kur punon, ngadalë.
Ky fenomen shpjegohet nga hipoteza e orës së dopaminës, sipas të cilës nivelet e larta të dopaminës – një neurotransmetuesi në tru që lidhet me motivimin dhe shpërblimin – përshpejtojnë orën e brendshme, duke na bërë të mendojmë se koha po kalon më shpejt. Studimet e kryera te minjtë kanë vërtetuar se kjo hipotezë qëndron. Sidoqoftë, kur vëzhgohen zona të ndryshme të trurit, lindin komplikacione, prandaj janë të nevojshme studime të mëtejshme.
Një studim i vitit 2010 mblodhi 37 studentë universiteti dhe u kërkoi të nënvizonin fjalët me shkronja dyshe në një tekst të gjatë. Disa studentëve iu deshën 20 minuta, disave iu deshën pesë. Sidoqoftë, studiuesit u thanë se kishin kaluar 10 minuta duke nënvizuar.
Më pas, studentëve iu kërkua të gjykonin kohëzgjatjen e ndodhisë që i përkiste të kaluarës. Të njëjtën gjë bëjmë dhe ne kur themi se janari ka zgjatur një përjetësi. I rikthehemi një periudhe kohore dhe gjykojmë mbi sa mendojmë ose ndjejmë se zgjati. Nuk kemi qenë duke numëruar realisht. Pra, gjykimi varet nga kujtesa dhe jo nga ora e brendshme.
Pjesëmarrësit në studim që iu deshën 5 minuta për të nënvizuar thanë se koha kaloi shpejt. Ndërsa ata që morën 20 minuta, thanë se koha kalonte ngadalë. Asnjëri grup nuk dyshoi te studiuesit që u thanë se kishin kaluar 10 minuta. Njerëzit s’janë shumë të aftë në përcaktimin e kohëzgjatjes së një ndodhie.
Gjithashtu, mungesa e dritës ndikon në këtë fenomen. Edhe pse ditët po zgjaten, na duket sikur po shkurtohen. Kjo të krijon idenë se dita mbaron më herët. Duket sikur ka kaluar më shumë kohë nga ç’ka kaluar realisht.
Në vitin 1992, profesor Dan Zakay tha se duket sikur koha kalon më ngadalë kur ora ka shumë rëndësi dhe intervali është i pasigurt. Ose në fjalë të tjera, kur nuk ia di fundin diçkaje. Për shembull, ke ngecur në trafik rrugës për në aeroport.
Në janar, jemi shumë të vetëdijshëm mbi kohën sepse përpiqemi të shkojmë në palestër ose jemi në punë çdo ditë. Në dallim nga muajt e fundit të vitit, nuk na pret asnjë festë dhe vera është kaq larg.
Në fakt, kur flasim për përjetësinë e janarit, thjesht e bëjmë të zgjasë më shumë. Mënyra si perceptojmë kohën, të paktën periudha të gjata, reflekton mënyrën si ndihemi.
Burimi: New Statesman