Mendoni se dini gjithçka për çështje që lidhen me modën? E dinit, për shembull, që, kur jeni duke menduar se si të kombinoni ngjyrat, në fakt po merreni me formën? Helidon Haliti, piktori që përdor mrekullisht ngjyrat në tablo, ndan me fashionista-t e revistës Anabel kodin e tyre, duke zbuluar disa rregulla praktike, që ju ndihmojnë të shmangni gafa të tmerrshme fashion.
Ç’rol luajnë ngjyrat në lidhje me veshjet, modën?
Në vetvete ngjyra është ajo që përdoret për të mbuluar formën. Nëse do të shpjegonim ngjyrat si një koncept në lidhje me modën, nëpërmjet saj luftohet forma. Nëse nuk përdoret fare ngjyrë në rroba, por, për shembull, përdoret ai që njihet si gjysmëton, siç do të ishte një veshje e gjitha gri, në këtë rast është krijuar një lloj forme në vetvete. Nëse i shtojmë pink, ajo do të dukej një ngjyrë shumë e bukur.
Më lini ta kuptoj më qartë: nëse një njeri është veshur vetëm me gri, nuk do të dukej bukur?
Jo, nuk e thashë këtë. Grija në këtë rast është në shërbim të formës. Forma në rastin konkret duket më e plotë.
Bëhet më e dukshme. Atëherë, nëse një njeri vishet me gri, do të theksonte formën. Kjo do të thotë që ngjyrat e zbehin formën?
Po, madje e shkatërrojnë fare.
Domethënë një ngjyrë e fortë...
Jo, por disa ngjyra bashkë. Kjo është ideja kur ne përcaktojmë një ngjyrë në funksion të formës. Nëse flasim për ngjyra, ato e shkatërrojnë formën. Për shembull, marrim një skulpturë...
Jo, më mirë marrim si shembull një fustan, që ka një dizenjo plot me ngjyra. Këtë fustan mund ta veshë një femër e shëndoshë për t’u dukur më e dobët?
Sigurisht, sepse forma zhduket. Ja, ta shpjegojmë më konkretisht. Nëse marrim një trup shumë elegant, trupin perfekt të modeleve, dhe i bëjmë body painting, atëherë do të shohim që humbet forma e trupit. Vetvetiu shkatërrohet forma. Problemiqëndron në anën vizuale. Gjithçka është një gënjeshtër e madhe. Kjo është lufta më e madhe mes ngjyrës dhe formës. Në trupin e bërë me body painting nuk sheh më formë, por ngjyra. Për këtë arsye, një trup i mbuluar me body painting nuk duket më as lakuriq. Ngjyra nuk është gjë tjetër veçse ajo që manipulon formën e dëshiruar.
Më jep një shembull tjetër, që ta kuptoj edhe më mirë.
Skulpturat e famshme të Egjiptit janë të pikturuara, prandaj automatikisht e humbasin formën dhe nuk shihen më si formë, por si ngjyrë për ta manipuluar. Forma është diçka më e pastër se ngjyra. Ngjyra e shkatërron në gjuhën artistike, por edhe e zbukuron në gjuhën e modës.
Ka rregulla për kombinimin e ngjyrave?
Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, po ju tregoj një përvojë të dy javëve më parë. Dikush kishte lyer kornizat e dritareve me të gjelbër dhe aty afër kishte lyer një kolonë bezhë, sepse i frikësohej blusë, ngaqë jeshilja nuk rri me blunë. E gjelbra e errët nuk rri absolutisht me blunë, por rri mrekullisht me bojëqiellin, sepse i përkasin së njëjtës familjeje. Frika e të qenit të një familjeje është se syri i njeriut të zakonshëm nuk e kupton, kurse një artist bën mrekulli me to.
Atëherë më ndihmo duke më shpjeguar disa rregulla, të cilat mund t’i shërbejnë një syri të zakonshëm dhe jo një artisti, cili ka një sy të stërvitur me ngjyrat dhe kombinimet mes tyre.
Në momentin që përdoren dritëhijet, si e bardha dhe e zeza,nuk ka më rregulla, sepse dritëhijet janë bërë për të shkatërruar rregullat. Për shembull, merr një të kuqe, vëre përballë dritës dhe ajo duket e errët, nuk duket më e kuqe. Nëse e nxjerr në gjysmëdritë, atje ku e rreh dielli, atëherë ajo merr formëp ër mrekulli. Kjo është puna e dritës dhe e hijes për të krijuar gjysmëtonet. Kjo zakonisht aplikohet në fotografi. Në fotografi, nëse e gjen dritën perfekte, edhe ngjyra duket shumë mirë, por edhe forma duket për mrekulli. Në mbrëmje drita nuk ka më forcë dhe ngjyrat zbehen. Megjithatë ne krijojmë disa rregulla tonat, që fillojnë nga kombinimi i gjysmëtoneve. Nëse në mënyrë të ndërsjellë kombinon tre ngjyrat bashkë, ka një lloj banaliteti: verdha me të kuqen nuk rri, e verdha me të verdhën rri, e verdha me blunë përsëri nuk rri.
Po një fustan blu me një detaj të verdhë ose pikë të verdhë nuk duket keq?
Po, por këtu nuk po flet më për ngjyrën, por për formën. Sepse bluja me të kuqen rri, por rri në një mënyrë të hollë.
Pra, kur fut pak fare...
Ajo pak fare është formë, nuk është më ngjyrë. Këtu qëndron e bukura. Marrim ngjyrën e kuqen, i fusim disa pika ngjyrash dhe ajo fillon të rrijë edhe me të bardhën, edhe me të zezën, edhe me të verdhën. Ky është edhe zbulimi: njeriu duhet të luajë në masë të madhe me formën, duke përdorur ngjyrën. Në momentin që mendon formën, manipuluesi më i madh është e bardha dhe e zeza, që njihen si dritëhije.
Filluat të tregonit për gjysmëtonet...
Gjysmëtonet janë sekreti më i madh i asaj që quajmë klasi i lartë i chic-ut. Kjo mendoj se ndodh te piktorët dhe fashion designerët e pjekur, të cilët janë lodhur së shokuari. Dizajneri i madh italian, Armani, nuk merret me ngjyrën, sepse është përqendruar te forma. Për këtë arsye, ai përdor shumë grinë, që është një gjysmëton. Në këtë mënyrë, ai i drejtohet një shtrese të lartë njerëzish, të cilët synojnë elegancën e rafinuar dhe klasin e lartë.
Çfarë janë gjysmëtonet?
Ta nisim në fillim me shpjegimin e ngjyrave, të cilat në vetvete janë vetëm tre: bluja, e kuqja dhe e verdha. Kombinimi i tyre krijojnë të gjitha nuancat e atyre që në jetën e përditshme njihen si ngjyra, siç janë: jeshilja, vjollca, portokallia, kafja. Nga kombinimi i ngjyrave të fundit me dritëhijet, krijohen gjysmëtonet. Kombinimi i të gjitha ngjyrave bashkë përsëri krijojnë gjysmëton, por është një gjysmëton i bërë pis. Sepse të gjitha ngjyrat së bashku janë bërë për të shkatërruar. Nuk kanë lindur për t’u kombinuar, por për të qëndruar më vete. Grija, për shembull, nuk është gjysmëton i pisët, sepse vjen nga kombinimi i së bardhës dhe të zezës, po kështu është bojëqielli që vjen nga bluja dhe e bardha, ose roza e lehtë, e cila vjen nga e kuqja me të bardhën. Nëse do t’i bësh më të fu qishme, bën kombinimin e dy ngjyrave bashkë me shumë pak dritë. Për shembull, e kuqja me të verdhën krijon një portokalli të theksuar. Gjysmëtonet e kombinuara në këtë mënyrë krijojnë një gjysmëngjyrë. Për ta kuptuar më mirë, po të shpjegoj shkallën e hierarkisë.
1. Në fillim qëndrojnë ngjyrat, që janë: blu, e verdhë, e kuqe.
2. Gjysmëngjyrat, të cilat janë quajtur të tilla, sepse i ka natyra dhe vijnë nga kombinimi i ngjyrave me dritëhijen. Të tilla janë: kafja, jeshilja, portokallia, lejlaja.
3. Gjysmëtonet, që krijohen nga kombinimi i gjysmëngjyrave me dritëhijet, si: okra, grija, pink, krem, gurkali, korali, bojëqiellja, shampanja, gruri, limoni, mentja etj.
4. Dritëhija, që është e bardha dhe e zeza.
Cilat janë kombinimet ideale, sipas kësaj shkalle hierarkie?
Kombinimet ideale janë dritëhija me ngjyrën. Për shembull, bluja shkon me të bardhën dhe të zezën, e verdha shkon me të bardhën dhe të zezën, e kuqja shkon me të bardhën dhe të zezën. Një kombinim tjetër ideal do të ishte ngjyra e dytë me gjysmëtonet. Një rregull tjetër është: gjysmëtonet kombinohen më lehtë me njëra-tjetrën, si dhe rrinë mrekullisht me dritën dhe hijen, sepse kanë lindur nga e bardha dhe e zeza. Nëse një njeri që nuk njeh mirë ngjyrën, formën dhe, mbi të gjitha, nuk ka një instinkt të lindur, që nuk mësohet në asnjë lloj shkolle, gjithmonë do të gabojë në çështje që lidhen me modën.