Kopertinën e rradhës së Harper’s Bazaar Vietnam e hijeshon Tyga, i cili ka veshur një xhaketë të mbuluar me gurë që mund të përshkruhet si mozaik i ndriçuar. Xhaketa është punim i Festim Isufit, një dizajneri nga Kosova.
Kjo është hera e dytë që një veshje e krijuar në Shqipëri/Kosovë përfundon në kopertinën e Harper’s Bazaar Vietnam. Fiks një vit më parë, një nga fustanet e Federika Arti Martesor dhe një po nga Festim Isufi u përzgjodhën për kopertinë. E përbashkëta është Brandon Nicholas, i cili ka shërbyer si stilist në të dy numrat, por sidoqoftë, nuk duhet të na bëjë më kaq shumë përshtypje kur shohim një emër shqiptar nën fotot e revistave amerikane a vietnameze, kur një dizajner shqiptar vesh yje për video muzikore, tapete të kuq apo evente. Duhej të ndodhte herët a vonë.
Së pari, industria e modës mbështetet me të dyja këmbët në inovacion. Të gjithë kërkojnë trendin e ri, veshjen e veçantë, fustanin që s’e ka njeri. Pikërisht për këtë arsye një dizenjo nga Shqipëria është zgjedhja e kaq shumë stilistëve të huaj. Shanset që dikush tjetër të ketë veshur diçka të ngjashme apo të njëjtë janë të ulëta, në mos thuajse zero.
Së dyti, shumica dërrmuese e dizajnerëve shqiptarë, duke filluar nga Valdrin Sahiti, Kujta & Meri, Lena Berisha, Lia Stublla e deri te Festim Isufi janë të fokusuar te fustanet glamoroze që mund të vishen gjithë gjithë në 4-5 rrethana. Eventet e rëndësishme, tapetët e kuq dhe kopertinat janë disa prej tyre. Industria e modës në Shqipëri e Kosovë, por sidomos në Kosovë është fokusuar fuqishëm te gruaja e pasur, e bukur, joshëse dhe mbretërore. Dhe kemi përshtypjen se kur këta VIP-a vishen, kërkojnë të duken ekzaktësisht të bukur, joshës, mbretërorë dhe glamorozë.
Duke pasur parasysh se çfarë preferon elita e të famshmëve dhe duke u përshtatur me ekonominë globale, brandet shqiptare dhe kosovare mendojnë anglisht, operojnë anglisht, komunikojnë anglisht. Në këtë mënyrë kanë akses edhe VIP-at e huaj që mund t’i bëjnë të njohur përtej kufijve.
Qëllimi i një biznesi, që prej fillimit, është të rritet e të zgjerohet. Dhe kur je më i dëshiruari i vendit tënd, mbetet të dëshirohesh nga njerëz gjithnjë e më të rëndësishëm. Thuajse të gjithë dizajnerët shqiptarë po ndjekin strategjitë e duhur dhe patjetër që në mos njëri, tjetri do të bëhet emër i njohur ndërkombëtarisht.