Xhevdet Ferri, një ikonë e kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta dje, në moshën 59-vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme pulmonare.
Ferri u varros sot në varrezat e Sharrës. Familja e tij — gruaja gjithashtu aktore Rozeta Ferri dhe e bija, Bora — respektuan dëshirat e të ndjerit që të varrosej pa bujë dhe pa homazhe. Për këtë arsye, familja e tij nuk pranoi t’i mbaheshin homazhe në Ministrinë e Kulturës, por vetëm në shtëpinë e tij.


E bija që la pas, Bora Ferri, postoi në Instagram një dedikim të shkurtër, por domethënës. Nën një foto me të atin, ajo shkruan “O captain, my captain,” rreshti hapës i poemës elegji që Whalt Whitman kompozoi shkurtimisht pas vdekjes së presidentit amerikan, Abraham Lincoln. Poema rimori famë pasi u interpretua nga Robin Williams në filmin “Dead Poets Society.”

Xhevdet Ferri ka mbajtur disa role të rëndësishme në fushën e artit përgjatë karrierës së tij. Ai ka shërbyer si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve dhe si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik në të njëjtën akademi. Ka qenë drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe drejtor i Teatrit Kombëtar. Ai ishte një nga bashkëthemeluesit e Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë.
Mjeshtri i Madh i filmit ishte një nga ikonat e kinematografisë shqiptare në vitet ’80-’90 me dhjetra role protagoniste. Si disa nga filmat më të njohur përmendim “Gjurmë në kaltërsi”, “Hije që mbetën pas”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara” etj.