Jetojmë në epokën e Instagram-it, Tik-Tok dhe YouTube-it, por sidoqoftë, s'harrojmë t'i kthejmë sytë nga ekrani i televizorit. Në një moment kur televizioni është "i bombarduar" nga programe që në qendër kanë një personazh të njohur dhe historitë e tyre të zbukuruara, shqiptarëve i duhej "Shqipëria Live".
Që prej 6 janarit programi "Shqipëria Live" me autore Olsa Muhametin transmetohet në Top Channel për rreth 2 orë e gjysmë nën prezantimin e Erjona Rusit dhe Flori Gjinit dhe i dedikohet plotësisht njerëzve të thjeshtë! Bëhet zë i historive që edhe pse trondisin opinionin publik, i lexojmë vetëm në lajme portalesh.
Mjafton të përmendim këtu tragjedinë e pak javëve më parë në Australi, ku babai shqiptar vrau vajzën dhe dhëndrin. Gjatë një lidhjeje direkte, "Shqipëria Live" foli me babain e djalit të vrarë dhe gjithashtu me një prej shokëve më të vjetër të autorit.
Ky program, përveçse e trajton në prani të psikologëve apo analistëve, krijon mundësinë që njerëzit më afër viktimës apo autorit të japin versionin e tyre.
Kështu, publiku merr tablonë e plotë të ngjarjes dhe jo atë ç'ka u serviret nëpër portale dhe nga ana tjetër, ata që preken drejtëpërdrejt nga ngjarja, mund të flasin!
I ftuari i fundit përshembull, ishte i ati i Hermes Nikajt, historia e të cilit është bërë kryefjalë portalesh, por sipas tij, Hermesi është vetëm viktimë e gjithë kësaj meseleje.
Ndonëse është një program që i duhet shqiptarëve dhe vjen në shërbim të tyre, pasi na bën më të ndjeshëm, më të ndërgjegjshëm dhe më të zhdërvjellët ndaj asaj që ndodh rreth nesh, ka një problem. "Shqipëria Live" transmetohet çdo ditë nga ora 12:30-03:00, orë jo dhe aq e përshtatshme për audiencën pasi shumica e njerëzve rreth kësaj ore janë ende në punë. Si pasojë, programi nuk merr vëmendjen që meriton dhe as shqiptarët s'njihen dhe s'përfshihen në të.
Sidoqoftë nëse qëllimi i "Shqipëria Live" është për t'u shpërndarë në YouTube, deri më tani është në rrugën e duhur. Klikimet e historive janë të larta pasi njerëzve gjithnjë do t'i interesojë aktualiteti, por një orar tjetër do të ishte shumë më i mirë.
Gjithashtu vlen për t'u përmendur kimia që moderatorët kanë me njëri tjetrin. Për 2 orë e gjysmë, ndjen se po sheh një realitet pa filtra.