Mendja

Deklarata e Selena Gomez për shëndetin mendor mund të jetë problematike

Shkruar nga Anabel

9 Janar 2020

Deklarata e Selena Gomez për shëndetin mendor mund të jetë

Për fat të mirë, pas kaq shumë vitesh që konsideroheshin si “tabu” ose “turp” dhe nuk preferohej të flitej për tema të tilla, gjithnjë e më tepër po diskutohen çrregullimet e shëndetit mendor. Personazhet e famshëm, si Lady Gaga apo Selena Gomez, të cilët kanë mjaftueshëm fuqi për të ndikuar te masa ose së paku te një pjesë e ndjekësve të tyre, flasin prej kohësh për përballjen me çregullimet mendore.

Së fundmi, në një intervistë për WSJ Magazine, Selena Gomez foli ndër të tjera për shëndetin mendor.

“Kam patur vetëvlerësim të ulët dhe kjo është diçka me të cilën po punoj prej kohësh,” tha ajo. “Por ndihem e fuqishme sepse kam fituar shumë njohuri në lidhje me atë që po përjetoja. Zbulova që vuaja nga çrregullimet e shëndetit mendor dhe sinqerisht ishte një lehtësim i madh. Kuptova se ekzistonte një mënyrë për t’i lehtësuar ato. Kam marrë mjekimin e duhur dhe jeta më ka ndryshuar plotësisht.”

Mjekimi ishte një faktor i rëndësishëm që ndikoi te përmirësimi i gjendjes së Selena-s, mirëpo kjo gjë mund të jetë problematike për të tjerët.

Ajo që është me rëndësi për t’u theksuar është fakti që përballja dhe mënyra sesi trajtohen problemet e shëndetit mendor janë të ndryshme në varësi të individit dhe simptomave përkatëse.

Megi Kociaj, që ka studiuar për Neuroshkencë – degë multidisiplinare që ndërthur biologjinë, fiziologjinë, anatominë, biologjinë molekulare, psikologjinë etj. për të studiuar gjithë dinamikën e sistemit nervor – në King’s College në Londër, u shpreh për Anabel.al se deklarata e Selena-s mund të jetë deri-diku problematike, për shumë arsye. Themeluesja e @Bananaditar, blog për shëndetin mendor dhe mirëqenien, tregoi:

“Personalisht nuk kam shkruar diçka në blogun tim për ilaçet, sepse duhen krahasuar ilaçet me terapitë psikologjike dhe është një temë shumë delikate që kërkon shumë studime.

Meraku që kam me deklaratën e Selena-s është që mund të shtyhen njerëzit që të trajtohen përmes ilaçeve ndërkohë që për asnjë nga ilaçet që kemi për depresionin/ankthin/sëmundje të ngjashme nuk e dimë si apo nëse funksionon.

Momentalisht, vetëm 2/3 e njerëzve reagojnë kur marrin ilaçe, 1/3 nuk ka asnjë ndryshim, ndërkohë te 2/3 që marrin ilaçe, ka plot efekte anësore dhe krijohet tolerancë me kalimin e kohës dhe duhet të ndryshojnë ilaçet ose dozat. Të llogarisim këtu që e kam fjalën vetëm për rastet kur njerëzit kërkojnë ndihmë, për të cilët kemi edhe të dhënat. Për pjesën tjetër që nuk shkon fare te doktori ne nuk e dimë fare si reagon, nuk e dimë nëse reagon.

Ilaçet janë ndihmuese për shumë sëmundje, shpeshherë edhe të domosdoshme. Problemi është që kur vjen puna te çrregullimet e shëndetit mendor, asgjë nuk dihet me siguri.

Selena është në pozicion perfekt se ka provuar sa e sa ilaçe nga kushedi sa profesionistë super të mirë dhe ka gjetur diçka që funksionon. Por ky funksionim mund të jetë edhe i përkohshëm ose të jetë funksionim psikologjik, që nuk vjen fare nga ilaçi.

Kompleksiteti i temës së ilaçeve është i jashtëzakonshëm dhe shumë i ndjeshëm. Është një balancë shumë e hollë midis efikasitetit dhe efekteve anësore mbi simptomat kryesore.

Ilaçet që kemi në treg për momentin targetojnë një sistem (monoaminet, si për shembull seratonina), që është sugjeruar që nga vitet 1960-1970. Jo çdo njeri që ka depresion, ka ndryshim te ky sistem.

Tani, janë bërë lidhje me sistemin imunitar, me epigjenetikën (efektet e ambientit te genet), me sistemin e glutamates. Por ilaçe për këto problemet e tjera nuk ka në treg, sese nuk janë arritur rezultate në provat laboratorike, hapi i parë që duhet të kalohet përpara se të shiten në treg. Zakonisht i provojnë në kafshë, pastaj te njerëzit. Duhet të kalojnë shumë faza, përpara se të shiten si ilaçe.”

Ashtu siç e kemi theksuar edhe në këtë artikull, në të cilin trajtohet situata problematike pas tërmetit kur shumë njerëz u dyndën drejt farmacive për të marrë ilaçe që shoqërohen me efekte të rënda anësore, truri është organ si gjithë të tjerët; edhe ai ndodh që “sëmuret”. Mënyra më e mirë për të trajtuar problematikën e shëndetit mendor është konsulta me specialistë të fushës. Ndonjëherë situata mund të mos jetë aq e rëndë sa mendoni dhe mund ta përkeqësoni duke ndërhyrë me medikamente, ose e anasjellta, mund ta përkeqësoheni duke e neglizhuar.

Artikuj të rekomanduar:

MOS I HUMBISNI