
Në çfarë kohësh jetojmë. Pak orë pasi deklaroi nga hiçi se po shkruan një libër, Albana Osmani publikoi në Instagram faqen e parë të projektit ende pa titull. “Këtu fillon çdo gjë në vitin 3478,” thotë ajo. “Një histori e jashtëzakonshme! Do vijë e ilustruar dhe mendoj do të jetë një histori që do ta lexoni me një frymë. Do të jeët në dy gjuhë, shqip dhe anlgisht. 2020-a do të jetë viti im.”
Kështu që, morëm një (1) frymë dhe filluam të lexonim. Si gazetare, na janë mësuar sytë të lexojmë lloj lloj artikujsh e deklaratash që vetëm të rrudhin ballin nga konfuzioni. Kemi zbardhur intervista që mezi dëgjoheshin e jemi përpjekur me tonën të kuptojmë si funksionon truri i Butrint Imerit. Me gjithë këto përvoja, asgjë s’morëm vesh nga hyrja e librit me përjashtim të fjalisë së parë: “Është viti 3478.”

Ndoshta problemi qëndron te fakti që teksti është draft dhe s’ka kaluar ende në duart e redaktor(ëve). Ne po bëjmë minimumin. Po e shkruajmë me ë dhe ç, po shtojmë ca presje, po drejtshkruajmë ca fjalë dhe po ua lëmë ju ta vendosni: Lexohet apo jo me një frymë?
“Është viti 3478.
Mbi tokë evoluimi ka bërë ndryshime të pabesueshme.
Dikur lart, në alpet e larta, peizazhi përreth qëndërzohet në mes me lëndina shumëngjyrëshe të qëruara në mënyra simetrike. Banorët e pakët, të cilët vijnë gjatë sezonit veror për t’u shkëputur nga intensiteti i stilit të jetës, në këto vende të humbura ku askush nuk ka interes për asnjë investim, ashtu si të humbur në një botë ku natyra është gati në perfeksion, ata shlodhen duke mbushur mushkëritë natyralisht me ajër. Ky është një proces më i ngadaltë nga çfarë mjekësia mund t’u ofrojë vetëm me një kalim te specialistët. Kjo zgjedhje zakonisht bëhet nga ata pak humanë të cilët u besojnë ende legjendave të vjetra, ndër të cilat thuhet se trupit i duhet të luftojë vetë përmes imunitetit dhe të kalojë përmes procesit natyral të përthithjes, qoftë edhe të stresit, pasi kjo është edhe më e shëndetshme. Por këta njerëz ishin shumë pak dhe klasifikohen shpesh si të hubmur me teori injorante, në një botë ku gjithçka ishte kaq e përparuar saqë me një të shtypur të një butoni mund të bëje rikapitulim të gjithçkaje, nisur nga rasti i një mbingarkese apo gjendje të rënduar psikologjike ku neuronet mund të relaksoheshin dhe të shkonin në gjendjen që dëshiroje. Dhe kështu ishe i programuar në mënyrë perfekte për t’iu përmbajtur rregullave të shoqërisë dhe të sistemit të atyre viteve pa më të voglin mundim. Qytetarët e kësaj epoke nuk humbnin kohën në përsiatje idesh nga të thënat e legjendave të prapambetura, as nuk lejonin devijim...”
Kot, meqë jemi, në kompjutera Windows, ë realizohet me alt+137, ç me alt+135; në kompjutera iOS, mbani shtypur e dhe c përkatësisht. Hapësira vihet pas shënjës së pikësimit, asnjëherë pas.