Instagramming

Adelina Ismaili mbështet publikisht Arilenën: ‘Festova që një vajzë vetëm 21-vjeçare fitoi’

Shkruar nga Anabel

23 Dhjetor 2019

Adelina Ismaili mbështet publikisht Arilenën: ‘Festova që

Adelina Ismaili, përmes disa postimesh në Instagram Stories, shprehu mbështetjen e pakushtëzuar për Arilena Arën, fituesen e “Festivalit të Këngës.” Sipas Ismajlit, Arilena nuk i meriton kritikat apo polemikat për një sërë arsyesh si: nuk buzëqesh fallco, nuk flirton me muzikën tallava, nuk është servile, nuk ka fryrë buzët etj.

Në paragrafë të mëvonshëm, këngëtarja flet edhe për gjendjen e artit ditët e sotme, sipas perceptimit të saj.  “Ne e kemi humbur këtë art në rrugët e sëmura të Ballkanit ku melodia vritet nga kriminelët e dehur, ku kredia në bankë na paracakton tekstin e këngës, ku borxhet e familjarëve na diktojnë edhe gjatësinë e fustanit e shtresat e makeup-it, ku dashuria (nuk) duhet të shitet që të jesh VIP,” thotë Adelina.

Deklarata e plotë:

“Ndaluni për hir të artit!

Ku është ajo Shqipëria që dikur ka çmuar artin mbi të gjitha? Arilena Arën për herë të parë e kam parë duke kënduar ‘They Don’t Care About Us.” E admirova sepse për herë të parë pas shumë kohësh, po shihja një shqiptare që po shkatërronte skenën dhe mua me energjinë. Nuk i kishte fryrë buzët. Nuk tërhiqte zvarrë pas vetes shërbëtorë të merë që paguhen me byrek, as nga Kosova, as nga Maqedonia. Nuk buzëqeshte fallco [sic]. Nuk ishte pjellë e asnjë producenti. Nuk flirtonte me muzikën tallava, nuk kushtëzonte këngëtare të tjerë. Nuk i shëtiste gazetarët. Nuk ishte servile. Nuk paguante. As me para, as me trup, as me këndim. Arilena ka më shumë suksese ndërkombëtare sesa gjysma e banorëve të show bizit të Kosovës e Shqipërisë bashkë. Është faji ynë nëse nuk e njohim. Alketa Vejsiu mbrëmë i mbeti borxh Arilenës. Ishte hera e parë prej dekadash ë ndër shqiptarë, po fitonte arti dhe artisti. Jo lëmoshet për gazetarë e rrobaqepësa, jo mafia e politikanët, jo luksi fallco [sic] i korrur në lëndinat e ‘koncerteve’ që mbajën erë bajgash e sponsorësh dhëmbë palarë.

Alketa, si femra e parë dhe e vetme shqiptare që ka arritur të mbajë mbi supet e veta dhjetëra spektakle, femra e parë shqiptare që mund të quhet biznesmene e suksesshme, që me modestinë dhe korrektësinë e vet ka arritur çdo gjë që ka, mbrëmë sikur u struk nga çmenduria e atyre që sponsorët po i shanin në mesazhe. Nuk u ekzaltua siç u ekzaltova unë.

Po, festova. Festova që një vajzë vetëm 21-vjeçare fitoi. Festova që dukej sikur bebi më i bukur i rrokut. Festova që shtrëngon dhëmbët kur këndon pa u brengosur a po duket bukur. Festova që ishte veshur me të zeza, pa e çarë kokën për rregullat e modës turko-arabe. Festova që këndoi baladë, pa e çarë kokën a do të jetë e preferuara e pronarëve të jargavitur të qebaptoreve. Festova që dukej sikur një europiane që ka ardhur për të kënduar në një festival botëror. Sepse mbrëmë, për herë të parë, FiK u duk si festival botëror dhe jo si gërmadhë komuniste ku shfryjnë epshet performues pa viza që duken si cirkuzantë të humbur në natën e Halloween. Festova se paska shpresa për artin. Artin pa sponsorë. Artin pa falsitet. Artin pa shërbëtorë. Artin e pastër, që të dhuron katër minuta parajsë.

Ne e kemi humbur këtë art në rrugët e sëmura të Ballkanit ku melodia vritet nga kriminelët e dehur, ku kredia në bankë na paracakton tekstin e këngës, ku borxhet e familjarëve na diktojnë edhe gjatësinë e fustanit e shtresat e makeup-it, ku dashuria (nuk) duhet të shitet që të jesh VIP.

Këtu, ku netët e mbytura në lot, mbulohen me luksin e Kinës dhe buzëqeshjen e plastikës. T’i japim shansin Arilenës, ajo e do dhe e di muzikën. Ajo e ka jetën dhe karrierën para vetes. Arilenë nuk do të na zhgënjejë. Zhgënjim jeni ju që shuani yje ende pa lindur. Dhe e bëni për pak, shumë pak para. Elvana, Albërija, Gena i kanë të gjitha. Fitoret, kupat, ndoshta edhe paratë, karrierat, familjet e lumtura. I kanë njerëzit që i duan rreth vetes, i kanë vokalet e back vokalet, tekstet e meloditë, detin e skijimin, dashurinë e lumturinë. Mos kryqëzoni një yll që po shndërrit shumë fuqishëm mbi shtetet tona të vogla. Sepse do të dukemi të mjerë, shumë të mjerë kur të postojmë foto të vjetra me Arilenën ndërkohë që na buzëqesh nga ballina e Vogue ose bën shqiponjën me duar nga Grammy Awards. Mos ua prishni lumturinë. Mos e urreni Arilenën pse po e bën muzikën ashtu si duhej të ishte bërë gjithmonë. Muzikë nudo, pa prapaskenën e fëlliqur. Mos e urreni pse ajo guxon. Mos e urreni pse po sjell rregulla të reja. Mos e urreni Arilenën fare sepse kënga nuk duron urrejtje.”

Adelina ka marrë pjesë tre herë në “Festivalin e Këngës.” Në vitin 1992, me “Mos ma gjuj diellin me gurë,” në vitin 1995 me “Eja të vallëzojmë” dhe në vitin 1996 me “Zemrën nuk ta fal”