Përshëndetje! Jeni gati për nje leksion matematike se si mund të fundoset qëllimisht një fitues? Atëherë fillojmë:
Juria e huaj, e përbërë nga tre personalitete në fushat e tyre me një kryetar jurie, qytetar i një vendi që korrupsionin e ka krim si Suedia, i dhanë pikët maksimale Elvana Gjatës. Pra 18 pikë secili dhe në total 54 pikë. Ndërsa për Arilena Arën, siç mund t’i shihni edhe tek fletë votimet, 13+13+10 = 36 pikë. Pra deri këtu, nëse do të ishte vetëm juria e huaj, që do të vendoste për përfaqësuesen e Shqipërisë në Eurovizion, atëherë Elvana Gjata do të shpallej fituese. Tani kalojmë tek dy anëtaret e papritura të jurisë, botuesja Rita Petro dhe muzikologia Mikaela Minga.
Rita Petro e ka vlerësuar Elvanën me 8 pikë. Ndërsa Arilena Arës, Rita Petro i ka dhënë 18 pikë. Me tre pjesëtarë të huaj dhe një shqiptar, Elvana Gjata ka 62 pikë dhe Arilena Ara ka 54 pikë. Deri këtu, fituese vazhdon të jetë ende Elvana. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne që të ndryshojmë rezultatin? Në ndihmë na vjen muzikologia me një CV prej 10 faqesh në muzikologji, por jo më eksperte se juria e huaj, Mikaela Minga. Mikaela e ka vlerësuar Arilenën me 13 pikë. Mundet që ajo vërtet donte Bojkenin të ishte fitues me 18 pikë, ose nuk e vlerësoi Arilenën të parën që të mos binte në sy. Bashkë me pikët e Mikaelës, Arilena merr 67 pikë. Pra deri këtu, pa pikët e Elvanës, Arilena ka 67 pikë dhe Elvana ka 62 pikë. Çdo pikë sipër 4 pikëshit, do ta shpallte Elvanën automatikisht fituese. Ndaj Mikaela ka pasur një kufi. Ajo i dha Elvanës 2 pikë, një pikë më shumë se Gena dhe 1 pikë më pak se Robert Berisha. Si përfundim, Arilena me votat e 5 anëtarëve merr 67 pikë dhe Elvana del e dyta me 64 pikë.
Tani, lind pyetja: Nëse Mikaela vërtet nuk e pëlqen këngën e Elvana Gjatës, a mundet që këngëtarja me një votë popullore, me miliona klikime të këngës, me vlerësime maksimale nga tre anëtarë të respektuar të huaj (që mund të ishin zëvendësuar edhe me muzikantë të shquar shqiptarë, por nejse) të mos jetë as e para, as e dyta, as e treta, por e 11-ta në renditje për shijet e anëtares së jurisë? A ka logjikë kjo? Ju vendoseni vetë, ne mendojmë që e gjitha është një skemë fundosjeje, pikë të caktuara qëllimisht nga znj. Minga, e cila së bashku me znj. Petro hynë papritur dhe pa asnjë lajmërim të mëparshëm në juri. Ose, përllogaritja jonë është një koincidencë e çuditshme!