Ashtu si publiku, të paktën si ai në sallë jo online, edhe personazhet e famshëm u ndanë në gjysmë përsa i përket çmimit të parë në “Festivalin e Këngës”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
Miq, bashkëpunëtorë dhe kolegë të shumtë uruan Arilena Arën për fitoren. “Urime yll i bukur,” shkroi Adelina Ismaili, ndërkohë që Arbana Osmani e cilësoi “talent”.
Beatrix Ramosaj, Bleona, Barbara Dini, Olta Gixhari qenë disa nga personazhet e njohur që uruan Arilenën në Instagram, fill pas publikimit të fotos ku këngëtarja shfaqej duke ngritur kupën.
Vesa Luma shkroi: “Nuk e njoh personalisht këtë vajzë, po nuk më paska ndodhë me më marrë përpara kënga... pa frymë...lum Shkodra e gjithë Shqipëria që të ka,” pasuar nga “jam totalisht kundër që kur artisti të këndojë e të thirret tjetër emër. Jepini artistit ato tre minuta dreqi e mori”. Mendohet se Vesa i referohet faktit që pas performancës së Elvanës u dëgjua dikush që të brohoriste emrin e Arilenës, gjë që u vu në dukje edhe nga Julka Gramo në një postim tashmë të fshirë, ku ajo ironizonte 400 karriget shtesë të natës finale, të cilat sipas Julkës u morën për të bërë tifo për Arilenën.
Xhensila Myrtezaj dhe Rozana Radi duket se gjithashtu bënin tifo për Arilenën. Tuna, mentorja e këngëtares në “X Factor”, shkroi: “Urime çika jem. Plotësisht e merituar. Jam kaq krenare.”
Olti Curri e cilësoi Arilenën si “fituesen surprizë”, por referuar gjithë komenteve të tij gjatë tri netëve të festivalit, nuk dimë të themi nëse është ironi ose jo. Për momentin, Oltin po e lëmë neutral. Ashtu edhe Robert Berishën, që nuk dihet ende kë ironizon.
Mirëpo ashtu si ndjekësit online, një pjesë e VIP-ave preferonin që në Eurovizion të shkonte Elvana Gjata, ku në disa reagime vihet re ironia me produksionin.
Pas shpalljes së vendit të parë, Lori Hoxha postoi një InstaStory ku shkruan, “A është ndonjë tjetër konfuz?”. Mund të jetë rastësi, por nuk i dihet. Stresi nuk bie dakord me faktin që fitoi një këngë e kompozuar nga Darko Dimitrov (kompozitor nga Maqedonia e Veriut), pasi sipas tij nuk mund të na përfaqësojë një i huaj. Të njëjtin mendim Stresi e pati edhe para finales, ku tha se “vetëm disa këngë do të mbahen mend përmendësh nga publiku”, ku përmendi “Bohem” dhe “Me tana”.
Bashkëpunëtorë, kolegë e miq të Elvanës e shprehën qartë se për kë bënin tifo. Përmendim këtu Ledri Vulën, Capital T, Besa Kokëdhimën, Jonida Vokshin, Valdrin Sahitin e Julka Gramon.
Producenti Turjan Hyska ironizoi: “Për një gjë të jeni të sigurt! Europa do kërcente me Elvana Gjatën. Iku mundësia prej ‘jurisë’. Era Rusi nuk ishte as në treshe. Elvana Gjata nuk fiton! Të keqen e ‘jurisë’.”
Po kështu edhe kantautori Elgit Doda nuk e kurseu ironinë duke thënë se “nuk mund të marrësh hidraulikun që të flasë për muzikën”, pasuar nga një “këtu seriozisht ka gallatë”.
Aulona Musta gjithashtu u shpreh se “ç’të keqe ka që të fitojë Elvana” pasi sipas saj është “mëse e merituar”. Në vijim, Aulona publikoi edhe një artikull të Blitz.al, ku shkruhet se “Elvana po përdoret nga produksioni për marketing, pasi Arilena është vendosur si fituese që prej fillimit”.
Të njëjtën gjë theksoi edhe Kozeta Kurti në një shkrim të disa javëve më parë. Së fundmi, Kurti reagoi gjithashtu me kritika për mënyrën si Festivali, sipas saj, u personalizua dhe këngët “ishin thjesht aksesor”.
I vetmi që s’ka folur deri tani është Flor Mumajesi.
Artikuj të rekomanduar: