Këngët pjesëmarrëse këtë edicion të “Festivalit të Këngës” do t’i gjykojnë pesë anëtarë, dy prej të cilëve shqiptarë dhe tre të tjerët, nga komuniteti i Eurovision. Emrat e tyre u bënë të ditur vetëm pak më parë, në skenë, nga Alketa Vejsiu e cila do të shërbejë si moderatore e tre netëve.
Vejsiu tha se i mësoi emrat e anëtarëve të jurisë vetëm pak momente para se të dilte në skenë, “për arsye konfidencialiteti.”
Që kur u njoftua drejtimi artistik i këtij festivali, pati aludime të shumta mbi fituesin. S’ishin të paktë ata që u shprehën të sigurt mbi fituesin, ende pa nisur gara. Ja që, juria me mazhorancë të huaj nuk i di këto thashetheme e nuk do të ndikohet.
Anëtarja e parë që u prezantua ishte Dr. Mikaela Minga, etnomuzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, Qendra e Studimeve Albanologjike, autore e disa librave, artikujve dhe eseve të botuara në median e shkruar. Dr. Minga ka një CV impresionuese që nuk mbaron kurrë, të cilën mund ta lexoni këtu.
I dyti, suedezi Christer Bjorkman, këngëtar dhe producent televiziv. Ai ka përfaqësuar Suedinë në Eurovision në vitin 1992. Që prej vitit 2002, ai shërben si producent i Melodifestivalen, festivali që përzgjedh përfaqësuesin suedez në Eurovision.
I treti, greku Dimitris Kontopoulos, kompozitor i njohur grek, aktiv prej më shumë se 20 vitesh dhe i fokusuar në muzikën dance-pop. Ai ka kompozuar nëntë këngë pjesëmarrëse të shteteve të ndryshme në Eurovision, dy prej të cilave janë renditur në vendin e dytë e dy në vendin e tretë.
I katërti, Felix Bergsson nga Islanda. Bergsson ka gradë shkencore në praktikat e teatrit të avancuar. Ai angazhohet në kinematografi dhe teatër prej më shumë se dy dekadash.
Dhe së fundi Rita Petro, poete dhe bashkautore në 36 tekste shkollore të lëndës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
- Festivali i Këngës: Publikohet lista e performancave të netëve gjysmëfinale
- Zbulohen surprizat e këngëtarëve të huaj në Festivalin e Këngës
- E vetmja gjë e trishtë te ‘Festivali i Këngës’
- Si rrallëherë: Ç'po ndodh këtë vit me këngët e 'Festivalit të Këngës'?
- A dihet vërtet fituesi i ‘Festivalit të Këngës’?