E keni parasysh ato memet që thonë se vajzat qajnë dhe vuajnë javën e parë pas ndarjes dhe një muaj më vonë janë qiqër, ndërsa çunat gëzohen dhe bëjnë qejf në fillim, por e vuajnë më vonë. Si puna e kësaj, po jo me këto intervale ekzakte kohore.
Mozzik – s’e dimë nëse e prisnit apo jo – është provë e gjallë me dy këmbë dhe dy këngë që vërteton se ky stereotip është i vërtetë. Një muaj pas ndarjes nga Loredana, ai publikoi “Dhelpër dinake” që tha se ishte dhe s’ishte dedikim. Në tekst ai thotë “Jena lodh tu bo debate,” “Hiqmu pi qafe,” “A jam kon me ty unë najherë? / S’e di qysh ndjenjat ikën meniherë.” E qartë pra që është në fazën e parë pas ndarjes.
Ndërsa pak ditë më parë, te “Zemra ime” e freskët dhe e sapopublikuar, Ziki është zemërthyer, i plagosur dhe i penduar. Gjithë refreni, në fakt, të dhemb në kraharor, por duam të veçojmë “Zemra m’u ka vra, fjalët e tua si AK,” “Zemër m'dogji malli, vallahi pa ty sun po ja dali” dhe “Patjetër që duna me t’rujt, s’duna me t’hup / Me kon bashkë me dikon ma mirë ec puna / Po dashnia sun frymon kur t’i vin senet te huna.”
Në fjalë të tjera, Mozziku kaloi nga “Madam” në “Dhelpër dinake” dhe nga “Dhelpër dinake” në “Zemra ime” me shpejtësinë e një djali normal që ndrydh ndjenjat. Kujt ia mori mendja.
Dhe nëse mendoni se “Zemra ime” s’është dedikim për Loredanën, ndoshta duhet ta dëgjoni dy herë.