
Justin Timberlake vendosi t’i kërkonte publikisht falje bashkëshortes së tij Jessica Biel, pas fotove që qarkulluan kudo, në të cilat shihej Justin teksa qëndronte dorë për dore (pa unazën e martesës në gisht) me Alisha Wainwright, të dy aktorë protagonistë “Palmer”, film ende në xhirim.

Këngëtari shkruan se duhet të ishte treguar më i kujdesshëm dhe fajëson alkoolin për situatën në New Orleans. Në Instagram, ai u shpreh se pendohet për sjelljen e tij, sepse “nuk është shembulli që dëshiron t’i japë të birit” – duke iu referuar djalit të çiftit Justin-Jessica, 4-vjeçarit Silas.
"Unë dua të qëndroj larg thashethemeve sa të mundem, por për familjen time mendoj se është e rëndësishme të flas në lidhje me thashethemet e fundit që po lëndojnë njerëzit që dua,” shkroi Timberlake. Më pas thotë se nuk gjykoi mirë, por thekson se “asgjë nuk ndodhi midis tyre”.
“Piva shumë dhe më vjen keq për sjelljen time atë natë. Duhet të kisha treguar kujdes. Ky nuk është shembulli që dua t’i jap tim biri. I kërkoj falje gruas sime të mrekullueshme që e vendosa në një situatë kaq të sikletshme dhe do të përqëndrohem të jem bashkëshorti dhe babai që kam dashur gjithnjë të jem.”
Timberlake e përfundoi deklaratën duke shtuar se “ndihet krenar që po punon në Palmer” dhe “mezi pret që njerëzit ta shohin”.
Jessica Biel, e cila u martua me Justin-in në 2012-n, nuk ka reaguar në lidhje thashethemet. As Alisha Wainwright gjithashtu nuk ka folur, ndonëse pasi fotot u bënë publike, një përfaqësues i saj dha një deklaratë për shtyp: “Këto spekulime janë të pavërteta. Momentalisht, ata po punojnë bashkë për një projekt. Stafi dhe kasti ishin të gjithë bashkë.”

Ndjekësit nuk i kanë kursyer kritikat e ashpra kundrejt këngëtarit. Ata vënë në dukje se ai nuk duhet të fajësojë alkoolin për gjithçka, si edhe e konsiderojnë të pafalshëm faktin që e mbyll deklaratën duke përmendur filmin. Për disa të tjerë, është e qartë që kemi të bëjmë me një tradhti. Të njëjtin mendim ndajnë edhe vajzat/gratë shqiptare.
