
Sidney Poitier, puna novatore e të cilit në vitet '50 dhe '60 hapi rrugën për shumë aktorë të tjerë me ngjyrë, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare.
Vdekja e tij u njoftua të premten nga ministri i punëve të jashtme të Bahamas, Fred Mitchell. “Kemi humbur një ikonë. Një hero, një mentor, një luftëtar, një thesar kombëtar,” tha ai.
Poitier, i cili lindi në Miami dhe u rrit në Bahamas, ishte aktori i parë me ngjyrë që fitoi çmimin Oscar “Aktori më i mirë” për rolin e tij në “Lilies of the Field” dhe së bashku me Harry Belafonte ishin pionerët e parë që hapën rrugën për praninë e njerëzve me ngjyrë në kinema.

“Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë sesi puna juaj ndryshoi rrënjësisht jetën time. Dinjiteti, forca, përsosmëria dhe elektriciteti i pastër që solle në rolet na treguan se ne, si njerëz me ngjyrë, kishim rëndësi!!!” shkroi aktorja Viola Davis pas lajmit të vdekjes.
E gjithë familja e Poitier jetonte në Bahamas, asokohe ende një koloni britanike, por ai lindi papritur në Miami teksa ata ishin për vizitë gjatë një fundjave, gjë që i dha automatikisht nënshtetësinë amerikane.
Pak yje të filmave kanë patur të njëjtin ndikim që pati Sidney Poitier. Rritja e profilit të Poitier pasqyroi ndryshime të thella në vitet 1950 dhe 1960.

Debatet rreth diversitetit në Hollywood kthehen në mënyrë të pashmangshme te historia e Poitier. Me fytyrën e tij të hijshme, shikimin intensiv dhe stilin, ai ishte për vite me radhë ylli më i njohur i filmit.
Disa nga filmat e tij më të njohur janë “No Way Out”, ‘‘Edge of the City’’, “A Raisin in the Sun”, “A Patch of Blue”, “In the Heat of the Night”, “Guess Who’s Coming to Dinner”, “Buck and the Preacher”, “Uptown Saturday Night”, “The Wilby Conspiracy”, “Sneakers”, “The Simple Life of Noah Dearborn” etj.

Poitier u martua dy herë: me Juanita Hardy-n midis 1950 dhe 1965 (me të cilën pati katër fëmijë) dhe më pas me Joanna Shimkus në 1976 (me të cilën pati edhe dy të tjerë).