Çfarë po ndodh rreth nesh

Sjellje të çuditshme te qentë, macet, minjtë: A e parashikojnë kafshët tërmetin?

Shkruar nga Anabel

28 Nëntor 2019

Sjellje të çuditshme te qentë, macet, minjtë: A e

Në një video që bëri xhiron e rrjetit pas tërmetit shkatërrues duket një qen në një banesë në Shëngjjin, i cili largohet disa sekonda para se shtëpia të tundet nga tërmeti. Përpos kësaj, të shumtë janë njerëzit që tregojnë për Anabel.al se para tërmetit kaotik, kishin dëgjuar qentë që lehnin pa ndaluar. Dikush tjetër tha se macja lëvizte e trembur. Lind pyetja: A mund ta parashikojnë kafshët tërmetin?

Në vitin 373 para lindjes së Krishtit, historianët arritën të regjistronin se kafshët, përfshirë minjtë, gjarpërinjtë dhe urithët, braktisën qytetin grek Helice, disa ditë para se një tërmet të shkatërronte vendin.

Mendimet se kafshët arrijnë të parashikojnë tërmetin ekzistojnë prej shekujsh. Janë raportuar mace që lëvizin si të trembura, pula që pushojnë së bëri vezë, bletë që largohen nga kosheret. Pronarë të shumtë të kafshëve shtëpiake pretendojnë prej kohësh se kanë qenë dëshmitarë të momentit kur qentë dhe macet shfaqnin sjellje të çuditshme, disa minuta para se të dridhej toka. Sipas tyre, qentë lehnin papushim pa ndonjë arsye të dukshme ose shfaqeshin nervozë dhe të shqetësuar.

Megjithatë ajo që ndiejnë kafshët mbetet ende një mister. Një teori përkrah idenë se kafshët, duke përfshirë këtu edhe ato shtëpiake, e ndiejnë Tokën të dridhet para njerëzve. Ide të tjera sugjerojnë që kafshët arrijnë të kuptojnë ndryshimet elektrike në ajër ose gazin e lëshuar nga Toka.

Tërmetët janë një dukuri e papritur. Sizmologët nuk zotërojnë asnjë mjet që të llogarisë saktësisht kur mund të ketë lëkundje. Rreth 500,000 tërmete ndodhin çdo vit në Tokë. Prej tyre, 100,000 mund të ndjehen nga njerëzit dhe diku te 100 shkaktojnë dëme.

Një nga vendet me të rrezikuara nga tërmetet është Japonia. Prej vitesh, studiuesit japonezë merren me vrojtimin e kafshëve për të zbuluar nëse ata arrijnë të parashikojnë tërmetet.

Sizmologët amerikanë nga ana tjetër janë skeptikë. Edhe pse ka raste të shumta të dokumentimit të sjelljeve të çuditshme të kafshëve, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), një agjenci qeveritare që ofron informacion shkencor për Tokën, thotë se midis sjelljeve të kafshëve dhe tërmeteve nuk ka asnjë lidhje.

“Ajo me të cilën kemi të bëjmë është thjesht anekdotë,” është shprehur më parë Andy Michael, një gjeofizikan në USGS. “Kafshët reagojnë ndaj kaq shumë gjërave, kështu që vështirë të kemi një studim të saktë të sinjaleve të tyre.”

Sjelljet e çuditshme 

Në shtator të 2003-shit, një mjek në Japoni u komentua në mbarë botën, pasi arriti të tregonte sjellje të çuditshme të qenit të tij, si lehja e tepër ose kafshimi.

Ka pasur edhe raste kur autoritetet kanë parashikuar një tërmet të madh. Për shembull, në 1975, zyrtarët kinezë dhanë urdhër për avakuimin e Haicheng, një qytet me një million banorë, vetëm disa ditë para se një tërmet me forcë 7.3 ballë të godiste vendin. Vendimi u mendua se erdhi si pasojë e vrojtimit të veprimeve të kafshëve. Megjithatë më vonë zyrtarët theksuan se ishte përsëritja e atyre që quhen paralëkundje që ngritën alarmin.

Megjithatë kinezët kanë vazhduar të studiojnë sjelljet e kafshëve në ndihmë të parashikimeve të tërmetit. Rubert Sheldrake, biolog dhe autor i shumë librave për qentë, është shprehur se “duhet të ketë një lidhje midis kafshëve dhe tërmeteve". Sipas tij, jo të gjithë tërmetet shkaktojnë nervozizëm te kafshët.

Sheldrake bëri studimin e tij duke parë reagimet e kafshëve, para dridhjeve të mëdha. Ai mori në shqyrtim tërmetin në Kaliforni në 1994 dhe atë në Greqi dhe Turqi në 1999.

Në të dyja rastet, biologu raportoi se pati sjellje karakteristike të kafshëve para tërmeteve. Qentë lehnin papushim gjatë gjithë natës, zogjtë lëviznin në kafaz të shqetësuar dhe macet fshiheshin të nervozuara.

Gjeologët nuk bien dakord me mendimin e tij. Sipas tyre, kemi të bëjmë e “efektin e përqëndrimit psikologjik”, ku njerëzit kujtojnë sjellje të çuditshme vetëm pasi ndodh një tërmet apo katastrofë tjetër natyrore. Nëse nuk do të kishte ndodhur asgjë, ata nuk do t’i kishin vënë re këto veprime.

Nga ana tjetër, Sheldrake e kundërshton këtë argument. “Nuk mendoj se të gjithë njerëzit që kanë rrëfyer për histori të tilla me kafshët vuajnë nga humbja e kujtesës,” ka thënë ai. Prej kohësh, Sheldrake thekson se nevojiten studime dhe hulumtime për kafshët, pasi mund të shërbejnë për të parandaluar shumë katastrofa. “Ajo që po e ndalon këtë hulumtin nuk është mungesa e parave, por dogmatizmi dhe mendjet e ngushta."

Burimi: National Geographic

MOS I HUMBISNI