Anonim të lutem

5 gjëra që do t’i kthenin me vrap emigrantët në Shqipëri

Shkruar nga Anabel

23 Nëntor 2019

5 gjëra që do t’i kthenin me vrap emigrantët në

Nuk thonë kot që s’ka si vendi yt. Je me njerëzit e tu, me familjen tënde, me të tjerë që flasin të njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtën histori dhe pasuri kulturore. Ecën nëpër rrugë që i njeh, që i ndjen tuat. Viziton bukuri natyrore dhe ndihesh krenar që mund t’i quash tuat. Rritesh këtu, shkollohesh këtu, por të ardhmen e sheh tjetërkund.

Vërtet nuk ka si vendi yt. Por kjo s’ka më dhe aq rëndësi. Me qindra mijëra shqiptarë zgjedhin të jetojnë kryesisht në perëndim për të famshmen “një jetë më të mirë.” Me bindje të palëkundur mund të themi që të gjithë e kanë menduar të emigrojnë në një pikë të jetës, por për punë rrethanash, vetëm disa ia dolën të realizojnë këtë "ëndërr të madhe" për të lënë vendin e tyre.

Sidoqoftë, edhe pse e konsiderojnë arritje emigrimin në vende të tjera më të zhvilluara, emigrantët shqiptarë janë të palumtur. Kjo vihet re në thuajse çdo letër që dërguan në faqen e Revistës Anabel në Facebook. Tre faktorë që dominojnë janë malli e vetmia, rracizmi që përjetojnë dhe lodhja e pamasë që u shkakton puna.

Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e fortë për shumicën e letërshkruesve. Vetëm sikur ky vend t’u plotësonte ca kërkesa, që për fat të keq, i kemi edhe ne që kemi jetuar gjithnjë në Shqipëri.

Cilësia e jetës: Në shumë prej letrave të ardhura, emigrantët theksonin se lodheshin pamasë, por pagesat u mundësonin një jetë normale, në mos mbi normalen. Pra, mjafton të punosh se të gjitha arrihen. Gjithashtu, në momente nevoje, shtetet e huaja u mundësojnë asistencë dhe kredi të buta, që lënë për të dëshiruar në Shqipëri.

“Jetoj prej pesë vitesh në Itali. Në fillim e kisha të vështirë të mësohesha me jetën këtu, e vetme dhe pa asnjë nga familja. Mendoja shpesh të kthehesha se s’kuptoja gjuhën, kisha vështirësi, më mungonte vendi im. Tani them faleminderit Zot që jam këtu. Kam komplet jetë më të mirë. Jam më e lirë. Punoj dhe më vlerësohet puna. Mund t’i plotësoj vetes një tekë, dal, bëj çfarë të duash po punova!”

“Kam diku prej pesë vitesh me studime në Turqi. Fillimi ishte pak i vështirë sepse burokracitë ishin të shumta. Ia vlejti pasi edukimi është më i mirë, cilësia e jetës po ashtu. Po vë re se si shtete të tjerë e vlerësojnë dhe e mbrojnë popullin qoftë me asistencë, ndihma a kredi të buta për biznese a shtëpi. Rrogat vërtet nuk janë si në Europë këtu, por jeta është shumë më e lirë.”

“Unë kam tre vjet që jetoj me bashkëshortin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të dy në shkollë për gjuhën paradite dhe pasdite punojmë nga 12 orë. Ikim me natë nga shtëpia dhe kthehemi me natë. Ku është ëndrra do thoni ju? Ëndrra është te pushimet që kemi bërë. Kemi qenë dy herë në Santo Domingo dhe kemi vizituar plot qytete në Sh.B.A. ëndrra është se i plotëson vetes çdo gjë, ndihesh mirë kur në fund të ditës ke punuar, por je shpërblyer për atë punë.”

“Për pesë vite në Sh.B.A. ndërtova gjithë gjërat që në Shqipëri do më ishte dashur një jetë t’i ndërtoja: të ardhura të mira, nëj shtëpi tonën dhe një makinë.”

Meritokracia:Të kërkosh punë në Shqipëri dhe të mos hasesh me favoritizëm apo nepotizëm është thuajse e pamundur. Të përfundosh arsimin e lartë në Shqipëri dhe të gjesh një punë që të shpërblen mundin e studimeve është thuajse e pamundur. Të gjesh drejtësi pa bërë vetë hile në Shqipëri është thuajse e pamundur. Por diku jashtë asnjë nga këto nuk është e pamundur.

“Jetoj në Sh.B.A. Këtu ka rregull dhe mund të ecësh para nëse ke vullnet. Mund të bëhesh dikush pa e ditur asnjë nga vjen, fëmija i kujt je, cilën forcë politike mbështet apo cilin besim fetar predikon. Ka mundësi për të gjithë, por nuk ka jetë, nuk ka kohë të lirë dhe nuk ka çaste të vogla që të japin lumturi[...] Shqipëria s’të jep hapësirë për të ecur përpara edhe pse mund të jesh i arsimuar apo i aftë. Kudo mbizotërojnë militantët partiakë. Kurse këtu mund të ndryshoh profesion edhe në moshën 50-vjeçare, mjafton të kesh dëshirë e vullnet.”

“Pasi përfundova shkollën e lartë në Tiranë dhe pashë që meritokracia nuk ekzistonte në asnjë lloj sektori, vendosa të largohem drejt Mbretërisë së Bashkuar. Sot po bëj gati një vit që jetoj në Londër dhe çdo ditë shoh ndryshimin e madh mes vendit ku u rrita dhe vendit ku ëndrrat e mia mund t’i prek fare lehtë me përkushtim e punë.”

Arsimi dhe shëndetësia: Cilësia e arsimit dhe shëndetësisë në vendet e perëndimit në krahasim me arsimin e shëndetësinë në Shqipëri gjithashtu ishte një lajtmotiv i pamohueshëm në letrat e dërguara.

“Jetoj në Sh.B.A. prej pesë vitesh dhe do gënjeja po të thoja që s’e kam menduar kthimin. Por kur mendoj shkollimin e fëmijëve dhe shëndetësinë ndërroj mendje. Të paktën këtu shkollimi është super. Spitalet dhe mjekët janë në nivele të larta. Hyn gjys njeriu në spital dhe del sakllëm. Në Shqipëri, shkollimi ka marrë fund, shëndetësia po ashtu. Nuk di ku të shkosh për të bërë një analizë a një operacion. Spitalet private janë skandal, janë kthyer në biznes.”

“Jam emigrante prej disa vitesh në Francë. Bashkë me bashkëshortin u nisëm për emigrim me dhimbje të madhe, të rraskapitur dhe pa shpresë. 5 vjet luftë spitaleve për fëmijën tonë që e dëmtuan doktorët në lindje dhe mjekimeve që nuk ishin për atë sëmundje[..] për fatin tonë të mirë, gjendja shëndetësoe e fëmijës ishte në mirë se ç’na thoshin mejkët në Shqipëri, por mjekimet e gabuara i kishin lënë pasoja te sytë. Mjekët francezë u çuditën nga gjërat që i kishin bërë fëmijës sonë në Shqipëri. Sot, vëmë re përmirësime, por nuk mund të shërohet 100% për faj të doktorëve shqiptarë. Fëmija shkon në shkollë për fëmijë specialë sepse këta fëmijë janë super specialë.”

“Jetojmë në Sh.B.A dhe fëmijët studiojnë në universitetet më të mira, me bursë nga shteti se kanë rezultate të larta. Më i miri këtu vlerësohet. Pa lodhje asgjë s’arrihet, por kur shoh që fëmijët ndihen të plotësuar për atë që janë, lodhja harrohet.”

"Dita e parë si studente PhD në Gjermani ishte shumë e vështirë pasi aty kuptova që ‘teoria’dhe librat e lexuara në universitet nuk ishin të mjaftueshme. Si fillim e vuajta faktin që duhet të mësoja çdo gjë nga fillimi për sa i përket pjesës praktike, pasi edhe ato që kisha mësuar në fakultet ishin gjysmake, dhe jo gjithmonë gjermanët ishin të gatshëm të të shpjegonin cdo gjë. Megjithatë me këmbëngulje dhe shumë punë kam arritur sot të jem një nga studentet më të mira dhe me shumë rezultate (ata që bëjnë PhD e dinë sa të rëndësishme janë rezultatet). Gjatë kësaj kohe po punoj shumë edhe që të krijoj kontakte për të realizuar një nga ëndrrat e mia më të mëdha; krijimin e një laboratori shkencor në Shqipëri ku të gjithë studentët që nuk mjaftohen vetëm me librat teorikë, të kenë mundësi të marrin aftësi praktike dhe të mos përballen me të njëjtat vështirësi që u përballa dhe unë. E di që kohët e fundit të rinjtë Shqiptar kërkojnë të largohen me cdo kusht dhe i kuptoj plotësisht, por mesazhi që doja t’i jepja është: largohuni dhe merrni maksimumin nga vendet europiane, por një ditë kthehuni dhe investojini këto eksperienca në Shqipëri. I detyrohemi kaq Atdheut tonë!”

Mentaliteti: Dhe sigurisht, mentaliteti, që ushqen nga pak të gjithë faktorët e mësipërm.

“Pas 13 vitesh dhunë psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti fëmijëve, vendosa të ikja nga shtëpia që kishim blerë bashkë me të dy fëmijët. Shkova në një qytet tjetër në Itali, ku jetoj prej 19 vitesh dhe mora një shtëpi të vogël me qira. Ia dola mbanë që me punën time të mbaj fëmijët që tani janë rritur. Jam e bindur që do t’ia dal mbanë dhe jam e lumtur që jam këtu e jo në Shqipëri. Jam e qetë që asnjë s’më paragjykon. Më respektojnë të gjithë ata që më njohin.”

“Kam 21 vite që jetoj në Mbretërinë e Bashkuar. Erdha që fëmijë këtu, bashkë me vëllain. Për çdokënd, fillimi është i vështirë, sidomos kur je e re dhe s’ke eksperiencë. Në Shqipëri, duhet të merrja leje te gjithë fisi për të dalë një herë[...]”

Për çudi, asnjërit nuk i ra në mendje se të gjitha këto gjëra duhet t’i bëjmë ne dhe nëse duam që të na pëlqejë jeta në këtë vend, duhet t’i futemi punës. Po ju lëmë me letrën e një mësueseje, që e kupton çfarë duhet të bëjë. Shpresojmë t’ju frymëzojë ndopak.

“Prej një viti jetoj në Londër, qytetin e ëndrrave për shumë njerëz. Jetoj me të fejuarin, kam dokumenta dhe fillova punë një muaj pasi erdha si mësuese në një shkollë fillore private. Çdo gjë shkon për mrekulli, por ndonjëherë ndihem vetëm. Jo se nuk kam njerëz rreth e rrotull, jo se s’kam ç’të bëj, por se jam në një vend të huaj, flas një gjuhë të huaj, edukoj fëmijë të huaj. Ndihem vetëm se nuk kam familjen, shoqërinë. Mbi të gjitha ndihem vetëm sepse kudo të jemi, asnjëherë nuk do të jemi të barabartë me banorët e vendeve ku kemi emigruar. Sado që këtu ka më shumë para, mundësi, civilizim, po aq ka rracizëm, inferioritet dhe gjithmonë do të jemi një hap prapa. Është e vërtetë që Shqipëria po kalon turbulenca këto vite, por sikur të ktheheshim të gjithë, sikur gjithë mendjet e zgjuara që po japin aq shumë për vendet ku kanë emigruar të jepnin për Shqipërinë, ndoshta do ta ndryshonin rrjedhën e vendit. Njerëz të këqinj ka kudo. Korrupsioni, miqësia, paraja funksionon kudo. Vetëm ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë. Vetëm ne mund t’i bëjmë krenarë të parët tanë që luftuan kaq shumë. Ndryshimi do të fillojë vetëm nga shoqëria, kur ne të pranojmë veten, do të na pranojnë dhe të tjerët. Kur ne të duam vendin tonë, do të na duan dhe të tjerët. Ne emigrantët kemi faj që punojmë pafund për një vend të huaj dhe shesim mend kur kthehemi në vendin tonë, në vend që të ndihmojmë. Unë ndoshta jam nga të paktat emigrante që kam vendosur të kthehem, që të paktën të edukoj fëmijët e vendit tim.”

Shënim i redaktorit: Letrat janë shkurtuar dhe përshtatur për të qenë më të qarta.