Në janar, Marie Kondo fitoi një tjetër nivel fame. Netflix publikoi serialin me autoren në qendër që ndihmonte njerëz të ndryshëm të pastronin dhe organizonin shtëpitë. Metoda e saj është e thjeshtë: E merr një send në duar dhe nëse ngjall gëzim, e mban. Nëse jo, e dhuron ose e hedh. E gjithë ideja është që të heqim dorë na sendet e panevojshme dhe të mbajmë rrotull vetëm gjëra që na falin lumturi. Bukur deri këtu.
Përgjatë vitit, Marie Kondo u kthye në një legjendë, sepse siç e parashikuam, metoda e saj i ndryshoi vërtet jetën shumë njerëzve. Ama, me lëvizjen e fundit, fansat u detyruan të ngrinin dyshime mbi sinqeritetin e metodës.
Të hënën, mbretëresha e pastrimit dhe organizimit lançoi një dyqan online ku shet 125 produkte për shtëpinë dhe kujdesin ndaj vetes që sigurisht, “ngjallin gëzim.” Për këtë të fundit u kujdes ajo vetë. Secili produkt u përdor nga Marie dhe nëse i ngjalli gëzim asaj, përfundoi në listë.
“Qëllimi i të pastruarit dhe organizuarit është lirimi i vendit për objekte, njerëz dhe përvoja domethënëse,” thotë ajo në faqen e web-it. “Nuk ka lumturi më të madhe në jetë se të rrethohem nga gjërat që dua.”
Pra, pasi inkurajoi një botë të tërë të falë dhe të hedhë shumicën e gjërave që kishin në shtëpi, Marie po u sugjeron gjëra për të blerë. Ironia e këtij veprimi është shëndoshë e mirë, nëse s’e vutë re.
Ngaqë Marie është fanse e madhe e banjove, në faqen e saj shet penjuarë, peshqirë e sapunë. Plus, një shkop Shiatsu që përdoret për akupunkturë dhe kushton 12 dollarë. Është, në kuptimin e parë të fjalës, thjesht një shkop druri... që kushton 12 dollarë.
Gjithashtu shet qirinj, difuzorë vaji dhe diçka që quhet “sprucues motivues.” Gjeni aksesorë për kuzhinën si garuzhde 96-dollarëshe. Dhe, produkte holistike si ky pirun që forcon fuqitë e kristaleve shëruese, të dy bashkë për 75 dollarë.
Ndoshta nuk është aq ide e keqe. Tani që njerëzit kanë zbrazur shtëpitë nga sendet që nuk u falnin gëzim, pse të mos blejnë ç’u sugjeron Marie për t’i mbushur sërish. Porsi ironia, edhe kapitalizmi është shëndoshë e mirë.