Në ceremoninë e përurimit të stadiumit të ri Air Albania, pak para ndeshjes Shqipëri-Francë, Juliana Pasha performoi “Himnin e Flamurit”, që siç mund ta shihni në videon krahasuese në vijim, ishte ndryshe nga ai që jemi mësuar, për shkak të ndryshimeve të bëra.
“Faleminderit Flori Mumajesi për gjithë përkushtimin dhe produksionin e këngës,” shkroi Pasha në Instagram, duke nënkuptuar se raporti i saj me kantautorit është përmirësuar, pas debatit të katër viteve më parë, ku Juliana e akuzoi Mumajesin për kopje.
View this post on Instagram
Përpara se të kalojmë te debati mes tyre, theksojmë se për një pjesë himni kombëtar ishte ndryshuar ndoshta më shumë seç duhet. Gazetarja Beti Njuma e krahasoi me një “version kënge Krishtlindjesh”. “Fiks ashtu mendova edhe unë,” shkroi një ndjekëse në Facebook-un e Njumës.
Në nëntor të 2014-s, Juliana Pasha dhe tenori Armaldo Kllogjeri performuan në Portokalli këngën “Kuq e Zi”. Në mars të 2015-s, Flori Mumajesi dhe Elvana Gjata publikuan këngën “Kuq e zi je ti”, një bashkëpunim ky me Digitalb në vitin e kualifikimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian të Futbollit.
“Kopjacët në Shqipëri kanë filluar të kopjojnë edhe tekstet e këngëve së fundmi, se nuk u mjafton që kopjojnë muzikë nga mëngjesi në darkë. Kënga ‘Kuq e Zi’ u këndua nga unë dhe tenori Armaldo Gllogjeri për herë të parë në festat e nëntorit në Portokalli show,” tha Juliana. “Kompozitor Edmond Rrapi, teksti Lejdi Shqiponja. Ky është vetëm refereni i këngës, por çudia më e madhe është se në Youtube kënga jonë u hodh me titull 'O flamur'. Unë mendova se e kanë bërë pa dashje ndaj kërkova që titulli të ndryshohej dhe të vihej titulli origjinal i këngës, pra, 'Kuq e Zi', por çudirat në Shqipëri nuk paskan të sosur."
I ftuar në Top Show në mars, Mumajesi ironizoi deklaratën e Pashës, duke thënë se fraza “O flamuri më i bukur në botë” (që te kënga e Julianës është “O flamuri kuq e zi, më i bukuri, më i bukuri në botë) u frymëzua nga Dritan Shakohoxha në ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, ku pas dronit me flamurin e Shqipërisë etnike, i pyetur se çfarë ishte ajo banderolë, Shakohoxha u shpreh: “Ishte flamuri më i bukur në botë Alban”.
Në emision, Flori tha me ironi se “nuk e dinte që flamurin kuq e zi e kishte shpikur Juliana”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Panorama në prill të 2015-s, u tha se Mumajesi ngriti një padi ndaj Pashës për dëmtim moral, për shkak “të cenimit të nderit dhe personalitetit”.
Artikull i rekomanduar: 15 minutat që lanë një shije të hidhur përbri madhështisë së stadiumit të ri