Plot 15 vite më parë, zonja Tefta – që u kthye në personazh dhe të gjitha emisionet ku shkonte identifikoheshin si “gatimet e zonjës Tefta”, pavarësisht emrit – solli gatimin si format televiziv. Megjithatë me kalimin e viteve, emisionet e ngjashme si ai i zonjës Tefta, i cili u transmetua fillimisht te Telenorba dhe më pas te News24 dhe Report Tv, u shndërruan në tjetër formë.
Ky lloj formati, ku përgjithësisht përgatiteshin receta relativisht të thjeshta që u shërbenin amvisave që në mesditë gatuanin drekën, u transformua më pas në spektakël ndërtuar mbi garën e konkurrentëve.
Kujtojmë këtu edicionet Masterchef Albania, ku nën drejtimin e emrave si Renato Mekolli, Sokol Prenga, Gëzim Musliaka apo Fundim Gjepali, emisioni i gatimit u ndërtua sipas programeve të njohura amerikane. Në qendër nuk qenë më recetat e thjeshta për amvisat, por gara mes shefave të rinj që konkurronin për të sjellë gatime sa më të veçanta.
Në këtë rast, emisioni i gatimit ishte një formë zbulimi talentesh, si për shembull “The Voice” apo “X Factor”, ku disa emra si Alfio Rrotani apo Indrit Çela ndërtuan më pas emisionin e tyre si “Kripë dhe piper” në In Tv apo “Sfida e gatimit” në Tv Klan. Pas suksesit, Masterchef u ndërtua edhe në formatin për fëmijë, transmetuar në RTSH.
Po kështu “Kush vjen për drekë” sezonin e kaluar në Tv Klan ftonte në emision personazhe të njohur, që jo detyrimisht dinin të gatuanin. Edhe në këtë rast, emisioni përqëndrohej te intervista dhe ngacmimet. Në fakt, një formë e tillë është praktikuar edhe më parë dhe ka rezultuar e suksesshme në “Për drekë me mua”, rubrikë e kuruar nga Blerina Bombaj te “E diela shqiptare”.
Emisionet e gatimit jo vetëm që u shndërruan në spektakël përmes konkurseve, apo emisione “rozë” për shkak të pranisë së personazheve të njohur, por së fundmi po zëvendësojnë emisionet talk-show.
Pas gjithë bujës së vitit të kaluar, “Hell’s Kitchen” nisi sezonin e dytë dhe rezulton si një ndër programet më të ndjekur në Top Channel. I vendosur në një orar prime time, “Hell’s Kitchen” është për momentin zëvendësues i mirë i programeve talk-show, për aq kohë sa të bërtiturat (e tepruara me qëllim) të shef Renatos ngjallin interes.
Nga ana tjetër, Ora News ka përqafuar formatin “parodi” të emisioneve të gatimit, ku në qendër është humori. Në “Kafsho” shef Titi dhe Herion Mustarafaj mund të dinë gjithçka, përveçse të gatuajnë. Megjithatë njerëzit e ndjekin sepse në një mënyrë a në një tjetër, është argëtues.
Pra, ndikuar nga emra të rëndësishëm të kuzhinës si Jamie Oliver apo Gordon Ramsay, që e shndërruan kuzhinën në spektakël, vihet re që dalëngadalë emisionet e gatimit në televizionet shqiptare kanë tanimë një tjetër formë, që qëndron në skaje të kundërta me programet tradicionale të gatimit.