Për mendimin tonë

T’u refuzua kënga në Festivalin e RTSH-së? E çfarë pastaj?

Shkruar nga Anabel

3 Nëntor 2019

T’u refuzua kënga në Festivalin e RTSH-së? E

Kur u njoftua se këtë vit, drejtimin e Festivalit të Këngës në RTSH do ta merrte në dorë Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu, të gjithë shprehën interes dhe kureshtje. Dyshja prodhon formula që kanë shikueshmëri prej vitesh dhe pritet që të bëjnë të njëjtën gjë me Festivalin e Këngës. Ndër vite, me përjashtim të apasionuarve, gjithë të tjerët thjesht lexojnë emrin e fituesit të nesërmen e natës finale dhe dëgjojnë këngën që do të na përfaqësojë në Eurovision. Sepse për fat të keq, synimi i festivalit është reduktuar në përzgjedhjen e një fituesi që do të shërbejë si fytyra e Shqipërisë në sy të Europës për muajt në vijim.

Prandaj, kur u informuam mbi drejtimin e Grabockës dhe Vejsiut menduam se do ta përmirësojnë formulën, do të përzgjedhin artistë më bashkëkohës dhe do të sjellin diçka të re. 

Diana Ziu dhe bashkëshorti i saj, Vangjel Toçe, i dërguan një letër të hapur Grabockës – ku një në tre fjalë ishte kunjë – të mbushur me pyetje, ku më e rëndësishmja ishte, “Pse s’u pranua kënga ime?” Kujtim Prodani nuk u stërmundua kaq, thjesht tha që kënga iu refuzua, por nuk e di ende pse.

Në komisionin vlerësues që pranon a refuzon këngët janë Zhani Ciko, Soni Malaj dhe Dorian Çene, por thonë se Grabocka ka futur hundët dhe ka refuzuar a pranuar këngë specifike. Habia që shkakton ky thashethem është e pajustifikueshme, duke pasur parasysh se diçka e kësaj natyre ndodh në cilëndo sferë të jetëve tona. Kur gjithçka tjetër, çdo proces, burokraci është e njollosur, presim që Festivali i Këngës të jetë epitoma e “një pune të bërë mirë.” Pse? Ç'naivitet.

Sidoqoftë, sa gabim e ka Grabocka, Vejsiu apo komisioni që ka refuzuar këngëtarë si Kujtim Prodani apo këngë të realizuara nga Diana Ziu apo këngë kundër trafikantëve të drogës dhe barazimit të shtetit me mafien. Ndoshta janë këngë të mërzitshme ose jo aktuale. Ndoshta i përkasin një dekade tjetër. Ndoshta nuk kanë vend në një festival që përfaqëson vendin në Eurovision. Kjo frymë e re, që e trajton Festivalin e Këngës si çdo produksion tjetër televiziv që ka për synim të tërheqë shokues, po i tremb këta krijues sepse ndoshta po ua bën më të qartë se ç’duhet se s’mjafton suksesi i të kaluarës për të korrur sukses tani.

Këto njëzetë vitet e fundit, nga Festivali i Këngës kanë dalë vetëm një grusht këngësh të famshme. Aurela Gaçe me “S’jam tribu,” Anjeza Shahini me “Imazhi yt,” Rona Nishliu me “Suus,” Juliana Pasha me “Nuk mundem pa ty” dhe Eugent Bushpepa me “Mall.” Fituesit e tjerë njihen, por thjesht ngaqë kanë saturuar ekranin gjatë pjesëmarrjes në Eurovision, jo se ishin këngë të jashtëzakonshme. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë nuk njihen aspak.

Në kontrast, këtë vit, një pjesë e mirë e pjesëmarrësve janë emra që dëgjohen dhe pëlqehen: Elvana Gjata, Arilena Ara, Bojken Lako, Eli Fara, Era Rusi, Kanita, Kamela Islamaj, Kastro Zizo, Gena, Olta Boka, Albërie Hadërgjonaj etj. Nuk mund të thoni që s’jeni kuriozë për realizimet e tyre sepse e dimë që jeni. Këta artistë dhe të tjerë e kanë konfirmuar veten në skenën shqiptare dhe natyrshëm do të tërheqin vëmendje dhe shikues.

Pra, festivali është i shikueshëm – shpresojmë falë risive që do të sjellin Grabocka dhe Vejsiu – dhe i dëgjueshëm, falë artistëve të zotë që iu pranuan këngët. Mbetet për t’u parë në produksioni do të “frymëzohet” nga Kënga Magjike, që ka rezultuar formati më interesant dhe më i parë vit pas viti për sa i përket festivaleve të muzikës.

Mos të të pranojnë këngën në festival nuk është gjëja më e tmerrshme që mund të ndodhë. Ka gjithmonë një tjetër, është i përvitshëm. Edhe nëse përfliten shitje, blerje, ndere, skema. Shqipëria s’ka qenë ndonjëherë e drejtë, por s’do të ishte keq sikur këtë vit, që këto kompromise po përdoren për të realizuar një spektakël të bukur dhe për të nxjerrë një fitues të denjë, artistët dhe publiku të tregohen më mendjehapur.

MOS I HUMBISNI