Muzika

Eneda Tarifa rikthehet te ‘Kënga Magjike’ pas 11 vitesh mungesë

Shkruar nga Anabel

22 Tetor 2019

Eneda Tarifa rikthehet te ‘Kënga Magjike’ pas 11 vitesh

Anabel zbulon se këtë vit, Eneda Tarifa do të jetë një nga artistët big pjesëmarrës në “Këngën Magjike.” Ky është rikthimi i këngëtares pas 11 vitesh mungesë në festival, si pasojë e disa mospajtimeve minimale që ka pasur në të kaluarën.

Në edicionin e vitit 2008 të festivalit, Eneda mori pjesë me këngën “Zëri Im” dhe fituese u shpall Jonida Maliqi me “Njëri nga ata.” Në segmentin pas finales që mbahet çdo vit gjatë të “Dielës Shqiptare,” Eneda u shpreh se edhe dy artistë të tjerë meritonin të kalonin në finale, por u penalizuan nga sistemi i votimit. Kur u konfrontua nga Ardit Gjebrea për të thënë emrat e artistëve që duheshin përjashtuar që të kualifikoheshin ata që kishte ajo ndërmend, Eneda u nervozua dhe u tërhoq. Gjithashtu i kërkoi të mos ia bënte këtë pyetje, në të kundërt, do të largohej. Dhe ashtu bëri.

Gjithashtu, pasi fitoi Festivalin e Këngës në vitin 2015 me “Përrallë,” që rrjedhimisht përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision, Eneda u shpreh se në vend, asnjë festival nuk performohej live me përjashtim të Festivalit të Këngës. Në po të njëjtin vit, Aurela Gaçe fitoi çmimin e parë të “Këngës Magjike” me performancën e shkëlqyer live të “Akoma jo.”

Këtë vit, në festivalin "Kënga Magjike" ka ndryshuar mënyra e votimit. Nëse më parë ishin vetëm artistët ata që votonin për njëri tjetrin, këtë vit, përveç tyre do të merret parasysh vota e publikut në internet dhe vota e jurisë New Artist.