Kompania Johnson & Johnson (J&J) njoftoi të premten se do të tërheqë nga tregu amerikan 33,000 shishe me pudër bebesh pasi Administrata Amerikane për Ushqimet dhe Barnat (FDA) gjeti gjurmë asbesti në një nga shishet me pudër të blera në internet.
Aksionet e J&J ranë me më shumë se 6%.
Kjo është hera e parë që kompania pranon të tërheqë produktet për kontaminim të mundshëm të asbesit si edhe hera e parë që FDA njofton gjetje të kimikatit të rrezikshëm.
Asbesti është ndër gjashtë mineralet e silikatit që gjendet në natyrë dhe kur hyn në organizëm shkakton sëmundje si asbestoza, kanceri i mushkërrive, kanceri i laringut etj. Në fjalë të tjera, azbesti njihet si vrasësi i heshtur kancerogjen.
Ndërkohë Johnson & Johnson po përballet me më shumë se 15,000 padi nga konsumatorët që pretendojnë se produktet e kompanisë, duke përfshirë edhe Johnson’s Baby Powder, u kanë shkaktuar kancer.
Në dhjetor të 2018-s, aksionet e kompanisë ranë me 10% pas një raporti të publikuar nga Reuters, ku thuhej se J&J e dinte se në pudrën e bebeve ishte i pranishëm asbesti.
Raporti i Reuters citoi dokumente dhe prova të tjera që theksonin se drejtuesit e kompanisë, menaxherët, shkencëtarët, mjekët dhe avokatët kanë qenë në dijeni për problemin.
Sipas Reuters, kompania e ka ditur për praninë e asbestit që prej vitit 1971. Nga ana tjetër, J&J u shpreh asokohe se artikulli ishte “i njëanshëm dhe i rremë".