Celebrity

Ana e errët e vdekjes së yllit korean

Shkruar nga Anabel

15 Tetor 2019

Ana e errët e vdekjes së yllit korean

Sulli, ylli korean që ndërroi jetë dje (e hënë, 14 tetor), ishte një nga të paktët personazhe të famshëm që foli hapur për të legalizuar abortin në Korenë e Jugut, për çrregullimet e shëndetit mendor dhe këmbënguli që gratë dhe vajzat mund të mos veshin reçipeta në rast se nuk ndihen rehat me to.

Këto deklarata e kthyen 25-vjeçaren në objekt kritikash. Brenda pak kohësh, Sulli u bë viktimë e cyberbullying – një formë e bullizmit që vjen përmes ngacmimeve dhe sulmeve në internet.

Vdekja e saj ka ngjallur një debat të ashpër në Korenë e Jugut në lidhje me mënyrën si trajtohen personazhet e njohur, si komentohen në media dhe sa të rrezikshme janë sulmet e internetit për shëndetin e tyre mendor.

Ngjarja tragjike pati një impakt të madh edhe te artistët e tjerë të S.M. Entertainment, kompania më e madhe në Korenë e Jugut që menaxhon artistët më të njohur. Sulli menaxhohej nga S.M. Entertainment. Grupet si Super Junior, SuperM dhe f(x), ish-grupi i 25-vjeçares, njoftuan se do të anulojnë shfaqjen.

Ka zëra se artistët nuk trajtohen mirë nga kompania, gjë që mund të ketë përkeqësuar gjendjen e saj.

Në një intervistë disa ditë më parë, ajo foli për një anë të errët, që pak njerëz e njohin. Ajo iu referua kësaj ane me emrin e vërtetë të saj, Choi Jin Ri. “Choi Jin Ri ka një anë të errët, por e famshmja Sulli duhet të aktrojë gjithnjë sikur është e lumtur. I pyes gjithnjë njerëzit për këshilla, pasi më duket sikur po gënjej,” tha ajo.

Të qenurit ndryshe nga pjesa tjetër dhe fakti që foli hapur për çështje, të cilat në Korenë e Jugut konsiderohen tabu, e kthyen 25-vjeçaren e ndjerë në objekt komentesh të ashpra, fyese dhe denigruese.

Përsa i përket shkakut të vdekjes, nuk ka një version zyrtar, ndonëse dyshohet për vetëvrasje, që vjen si pasojë e përballjes me bullizmin dhe problemet e shëndetit mendor. 

Shtojmë se në Korenë e Jugut sëmundjet mendore konsiderohen tabu, madje edhe brenda familjes. Mbi 90% e viktimave janë diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor, por vetëm 15% e tyre kanë pranuar të kurohen. Më shumë se 2 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, por vetëm rreth 15,000 zgjedhin ta trajtojnë problemin.

Duke qenë se sëmundjet mendore konsiderohen tabu, shpesh familjet i dekurajojnë të rinjtë ose personat që përballen me të tilla çregullime.

Artikull i rekomanduar: Pse kaq shumë artistë të këtij shteti vrasin veten?

MOS I HUMBISNI