Për mendimin tonë

Të gjitha rrugët të çojnë te Ora News

Shkruar nga Alberta Kamenica

13 Tetor 2019

Të gjitha rrugët të çojnë te Ora News

Historikisht, treshja e televizioneve më të rëndësishëm në vend përmbante Top Channel, Tv Klan dhe Vizion Plus. Së fundi, vendin e Vizion Plus e meriton më shumë se kurrë RTV Ora, që ka hasur sukses me shndërrimin nga një televizion me bazë informacionin, në një televizion gjeneralist. Ky drejtim i ri po tërheq shikuesit, figurat e njohura të ekranit, fitimet dhe vëmendjen e konkurrentëve që kanë një lojtar të ri në arenë.

RTV Ora strehon plot emra të njohur, duke nisur nga Sonila Meço, Artur Zheji, Dritan Hila, Kastriot Myftaraj, Rozana Radi dhe Fiori Dardha që mbulojnë kryesisht pjesën e emisioneve serioze, me natyrë politike a informuese; te Rudina Dembacaj, Roza Lati, Kastro Zizo, Dajana Shabani, Kelvi Kadilli, Arjola Shehu që mbulojnë emisionet argëtuese; te Aulona Musta, Fatma Haxhialiu dhe Ester Bylyku që kujdesen për showbiz dhe Herion Mustafaraj me shef Titin që janë përgjegjës për emisionin e gatimit (çdo televizion serioz duhet të ketë të paktëmnjë emision gatimi).

Ora i ka hapur dyert një liste kaq të diversifikuar emrash — që në shumicën e rasteve janë larguar nga ekrane të tjerë — ka marrë përsipër emisione që transmetoheshin tjetërkund e i ka dhënë dritën jeshile projekteve të reja që në dukje nuk janë rafinuar gjatë para se të nisin transmetimin.

Kjo media është një shtëpi për të gjithë sepse të gjithë mund të bëjnë ç‘të duan në emisionet e tyre duke pasur në plan të parë të mirën e televizionit: fitimin. Nëse një emision shihet dhe ka sponsorat e tij, mund të vijojë punën si normalisht. Si formulë, është e pagabueshme dhe kjo është e dukshme. Në dallim nga Top Channel që kërkon më të mirën e më të mirës e preferon thatësirën deri kur ta gjejë apo Tv Klan që mbështetet në disa prodhime me sukses të jashtëzakonshëm, RTV Ora fiton nga pak shikues për çdo produksion që transmeton. Fundja, nga gjithë ata emra, publikut të paktën njëri do t’i pëlqejë e do ta ndjekë.

Në krye të programacionit dhe prodhimit në RTV Ora është Briseida Shehaj që pranoi ofertën e pronarit të televizionit, Ylli Ndroqit.. Sidoqoftë, kjo mënyrë operimi te Ora është në veprim prej kohësh dhe meritat i takojnë më tepër kulturës së punës sesa Shehajt. Më parë, ekranin e RTV Ora e hijeshonin edhe Beti Njuma, Ilva Tare para saj; Valbona Selimllari dhe Robert Aliaj, të dy vetëm për një sezon televiziv.

Ngaqë te Ora ka kaq shumë emra të njohur që mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri, të krijohet ideja se janë të lirë të shprehen si të duan, të shajnë e mbrojnë kë të duan, të mbajnë anë a jo. Pra të jep idenë e një mediaje të lirë dhe pavarësisht në është a jo, perceptimi si i lirë ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër.

MOS I HUMBISNI