Art & Libra

Fitoi çmimin Nobel: Peter Handke, një ‘avokat’ i Sllobodan Millosheviçit

Shkruar nga Anabel

10 Tetor 2019

Fitoi çmimin Nobel: Peter Handke, një ‘avokat’ i

Siç mund ta keni lexuar, çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2019 iu dha shkrimtarit austriak Peter Handke me motivacion “punën ndikuese që me zgjuarsi gjuhësore ka eksploruar specifikat e përvojës njerëzore”.

Fitoi çmimin Nobel: Peter Handke, një ‘avokat’ i

Disa vepra të tij: A Sorrow Beyond Dreams”, “The Goalie's Anxiety at the Penalty Kick”, “The left-handed woman”, “Storm Still”, “The afternoon of a writer” e të tjera.

Po kush është Peter Handke, përtej librave?

Handke ka mbajtur një qëndrim pro-Serbisë përsa i përket Luftës Jugosllave dhe bombardimeve të NATO-s, që sollën pavarësinë e Kosovës dhe vendeve të tjera nën udhëheqjen serbe, gjë që kanë ndikuar që figura e tij të shihet me kritika duke u përshkruar si përfaqësuese e nacionalizmit ekstrem serb.

Në të kaluarën, Handke ka sulmuar mediat perëndimore duke i akuzuar për keqpërfaqësim të shkaqeve dhe pasojave të luftës. Me po të njëjtat tone, ai ka shkruar edhe kundër bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.

Ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç, i njohur si "kasapi i Ballkanit", kërkoi që Handke të thirrej si dëshmitar i tij mbrojtës në Gjykatën Penale për Krimet e Luftës së ish-Jugosllavisë, por shkrimtari nuk pranoi. Ai shkoi në gjykatë si spektator.

Megjithatë, mjafton të përmendim fjalimin e tij në funeralin e Millosheviçit, për të kuptuar se në të vërtetë Handke e përkrahte figurën e tij. Fjalimi u mbajt në gjuhën serbe dhe shkaktoi polemika.

Fitoi çmimin Nobel: Peter Handke, një ‘avokat’ i

“Bota, e ashtuquajtura Botë, di gjithçka për Jugosllavinë, Serbinë. Bota, e ashtuquajtura Botë, di gjithçka për Sllobodan Millosheviçin. E ashtuquajtura Botë e di të vërtetën. Kjo është arsyeja pse e ashtuquajtura Botë mungon sot, dhe jo vetëm sot, dhe jo vetëm këtu. Nuk e di të vërtetën. Po unë shoh. Unë dëgjoj. Unë ndiej. Mua më kujtohen gjëra. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Sllobodan Millosheviçit,” tha ai.

Millosheviç, ish-presidenti i Jugosllavisë, u akuzua për gjenocid (shfarosje e plotë a e pjesshme e një popullsie) dhe krime të tjera të luftës në periudhën 1991-1995 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, përpara se të ndërronte jetë në 2006-n.

Pozicioni i Handke në luftën jugosllave është kundërshtuar nga shkritmari dhe eseisti slloven Drago Jancar dhe të tjerë studiues. Nuk është hera e parë që ai fiton një çmim, i cili pasohet me polemika.

Handke ka fituar më parë edhe çmimin International Ibsen Award, ku fill pas të cilit protestuesit në Oslo e cilësuan si fashist të lidhur me krimet e luftës. Kritikët ironizuan duke thënë se t’i japësh Handke-s çmimin Ibsen, është si t’i japësh politikanit nazist Goebbels çmimin e filozofit Immanuel Kant. Në 2006-n u nominua për Heinrich Heine Prize, por çmimi u hoq bazuar te pikëpamjet e tij politike.

Përzierja e pikëpamjeve politike me arritjet estetike vazhdon të mbetet një debat i hapur. Disa janë të mendimit se një shkrimtar i mirë, nuk ka pse domosdoshmërisht të jetë njeri i mirë. Ndërkohë që të tjerë mendojnë se pavarësisht arritjeve estetike, nuk duhen vlerësuar artistët të cilët kanë mbështetur politika kriminale kundër njerëzimit.