Anonim të lutem

Mos i tregoni kujt, por kam ndarë një çift

Shkruar nga Anabel

8 Tetor 2019

Mos i tregoni kujt, por kam ndarë një çift

1. “Unë kam ndarë tjetrin nga e dashura dhe do e bëja prapë po të më jepej mundësia. Unë dhe ai djali jetonim të dy në Itali dhe pushimet i kalonim në Tiranë në të njëjtën lagje. Ishte shumë simpatik, çdo gocë në lagje e kishte fiksim. Ky ishte i lidhur me njërën, por unë e doja për vete. Fillova bëja çdo gjë për t’i rënë në sy dhe më në fund ia tërhoqa vëmendjen pavarësisht se kishte tjetër. E bëra timin dhe e lashë atë tjetrën të vuante. Më bëhej qejfi të them të drejtën. Ia kalonim mirë, sado ziheshim. Vjen dita dhe tregohet indiferent ndaj meje. S’e dija a e kishin fajin zënkat apo ia kishte marrë mendjen ndonjë vajzë tjetër. Nuk e vrava mendjen shumë deir sa mora vesh që kishte filluar të fliste prapë me atë nga e cila e ndava. Më tha që ishte thjesht në mënyrë shoqërore dhe nuk u shqetësova. Vjen vera, doja ta takoja pas zënkës sonë se ishim ftohur shumë. E dini ç’më tha? Më tha që nuk më ka dashuri kurrë dhe që thjesht donte të provonte veten e do të kthehej me atë që kishte sepse atë ka dashuruar gjithmonë. M’u shemb bota dhe u trondita. Desha ta ndaja prapë me çdo lloj kurthi, por nuk arrita. Fajin e kam vetë. Tani rri, shoh fotot e pushimeve nëpër vende të ndryshme të botës në të cilat duhet të isha unë me të. Do vijë dita që do të kthehet jam e sigurt.

2. “Kur lexova temën, fillova të qesh me vete sepse më erdhën shumë kujtime në mendje dhe fillova të numëroja çiftet që janë ndarë prej meje. Nuk ka qenë vetëm një apo dy, por shumë. Kam qenë unë vërtet shkaktarja sepse më pëlqente kur gjeja çuna të dobët që më komplimentonin në çdo foto pavarësisht se ishin të lidhur, më flisnin orë e sekondë mesazhe, më ngacmonin në rrugë dhe gjithashtu mundoheshin me mish e me shpirt për të më gjetur numrin e telefonit. Pse të mos luaja unë me këta tipa. Më vinte keq për të dashurat e tyre që dashuronin dikë që s’i meritonte. Por ç’të bëja. M‘u bë ves që të ndaja çuna të lidhur dhe të mos lidhesha me ta. Në fakt, s’jam lidhur me asnjë prej tyre dhe jam krenare për këtë, kurse ata mbajnë shpresë akoma te unë. Kulmi i budallallëkut.”

3. “Jam ndarë nga një lidhje e gjatë dhe shkaku ka qenë një femër. Por e veçanta e historisë sime qëndron se atë femër e futa unë mes nesh. Nuk e besoj ta kenë kuptuar në fillim, por ndoshta i kanë thërritur logjikës pas kaq kohe. E di që shumë do çuditten. Shumë do më japin mend se nuk bëhen këto punë kështu. E rëndësishme është që dhe sot, pas kaq kohe (kanë kaluar tre vjet që kur jamë ndarë) nuk pendohem për asgjë. Kisha katër vjet e lidhur. Të gjithë prisnin martesën. Ai as e kishte mendjne. Jetonte në re. Më e keqja ishte se edhe unë s’e kisha mendjen. Fajësonim njëri-tjetrin e rrinim kot sepse askush nuk kishte bythë të ndahej. Nuk e urreja. Madje sot e kam xhan. Njeri i mirë. Po nuk ishim për njëri-tjetrin edhe pse të gjithë na donin bashkë. Hajde merre vesh fisin. Opinionin. Familjet. Një presion që më katandisi dy kile rob. Seriozisht i humba shijen jetës. U lodha. E dija që ai as nuk ishte tip që të merrte inicativën të shihte të tjera. Jo se më dashuronte, por ishte mësuar me mua. E kishte zënë rehati. Për muaj me rradhë i thoja të dilte me shokë, me shoqe. Fare. Më vinte keq se i humbi interesi e u largua nga gjithë shoqëria. Ndodh që njeriu e humb. U tjetërsuam të dy. Rrinim në shtëpi se humbameno. Pashë një femër të bukur, shoqe e një të njohurës sime. Ia shtova në Facebook. Ia fiksova. ‘Sa e bukur. Ku të flet ty kjo. Pale sa i shkojnë nga pas.’ Për javë të tëra. Bëra çmos që të shkonim diku ku ishim të gjithë. Asaj ndërkohë i fliste dikush tjetër për të fejuarin tim. U lodha pak, por falenderoj Zotin që funksionoi. Një ditë më uli në tavolinë dhe më tha që ka dalë me filanen. ‘Më pëlqen, por nëse ti ma fal, do e harroj.’ Ishte i vetmi moment që më lumturoi sa s’më ra pika. Sot është me atë, kuptohet. Janë fejuar. Nuk mbaj kontakte, por kur shohim njëri-tjetrin s’kemi hatërmbetje. E di që këto femrat që futen mes çiftit paragjykohen, por në rastin tonë i them faleminderit që e tundove. Na bëre të gjithëve të lumtur dhe na dhe një arsye ‘me baza’ te opinioni dhe familjet. Pa ty s’kishim si ndaheshim.”

Letrat janë dërguar në faqen në Facebook të Revistës Anabel në shtator të 2015-s