Cardi B nuk ka aspak frikë të eksperimentojë me veshjet. Deri pak orë më parë, veshja më e veçantë dhe ekstravagante e saj ishte fustani nga arkivat e Mugler, përkatësisht pjesë e koleksionit Vjeshtë 1995, të cilin reperja e veshi në tapetin e kuq të Grammy 2019.
Megjithatë Cardi goditi sërish duke e lënë në hije veshjen e Mugler. Ajo u paraqit në Javën e Modës në Paris me një veshje kokë e këmbë nga dizajneri londinez Richard Quinn.
Cardi e fshehu fytyrën me një shall me lule, i cili bashkohet me pjesën tjetër të veshjes, një xhaketë e lidhur në bel, geta dhe fund me fruda. “Sigurohuni që të mos më godasë ndonjë makinë, sepse nuk mund të shoh,” u shpreh reperja për pamjen e saj.
Veshja është pjesë e koleksionit të vitit 2019 të Quinn, i cili i ka bërë printet florale identifikues të stilit të tij.