KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Kinema & TV

Adriana Matoshi, Meryl Streep e kinemasë shqiptare

Shkruar nga Anabel

23 Shtator 2019

Adriana Matoshi momentalisht është protagoniste në dy filma në kinematë e Kosovës, “Zana” dhe “Shpia e Agës”, ku përpos promovimit të filmave në Kosovë e jashtë, udhëton edhe për të takuar fansat e vegjël të serialit “O sa mirë”, ku fitoi popullaritet në rolin e Sasas. Referuar sukseseve të saj, mund të thuhet pa frikë se Matoshi ka një nga axhendat më të ngarkuara kinematografike ndër aktorët shqiptarë. Të gjithë regjisorët duan ta kenë pjesë të kastit të aktorëve për shkak të aftësisë së jashtëzakonshme të Matoshit për t’u futur mjeshtërisht në lëkurën e personazhit.

Seriali "O sa mirë"

Adriana Matoshi ka lindur në Gjilan, ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa studime e larta i përfundoi në Prishtinë për aktrim. 39-vjeçarja dhe partneri i saj, Albert Sylejmani, janë prindër të katër fëmijëve, Kaonës 18-vjeçare, Bojkenit 14-vjeçar, Odejit 9 vjeç dhe Pineas 6-vjeçare. Pavarësisht vështirësive për t’u kujdesur për katër fëmijë, Matoshi ia ka dalë që të shndërrohet në një shembull suksesi, ku nuk mungojnë çmimet vlerësuese për punën e saj në festivale prestigjoze.

Një vit më parë, Matoshi, përpos kritikave pozitive për rolin në filmin “Martesa”, u vlerësua si “Aktorja më e mirë” në South East European Festival në Paris për rolin e saj në filmin “T’padashtun”. Të njëjtin çmim ajo e rrëmbeu edhe në festivalin e mbajtur në Berlin. Për po të njëjtin rol, atë të Zanës në “T’padashtun”, Matoshi u vlerësua edhe si “Aktorja më e mirë” në The International Filmmaker Festival në Nju Jork. 

"T'padashtun"

Pjesëmarrja e saj në filma si “Kthimi” (2012, nominuar për “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër” në European Film Award) apo “Shtëpia” (2015, fitues i BAFTA Awards për “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër") i hapën rrugë suksesit ndërkombëtar të aktores. Dy vite më parë u zgjodh për të qenë anëtare e Akademisë Europiane të Filmit.

"Kthimi"

Në vitin 2017, ajo fitoi çmimin “Golden Goddess” për Arritjet Ndërkombëtare në Kinematografi, dhënë nga PriFilmFest. Po kështu është vlerësuar sërish si “Aktorja më e mirë” në Greqi dhe në festivalin italian Film Lab Festival.

Adriana Matoshi u përball me vështirësitë dhe përvojën e teatrit qysh në fëmijëri, në teatrin e qytetit të Gjilanit. Më pas, interpretoi edhe role të tjera në skenë, të cilat e kthyen në një aktore të një tjetër kalibri, për t’u përqëndruar më pas te filmi.

"Shpia e Agës"

Siç e thamë edhe më sipër, momentalisht Matoshi po merret me promovimin e filmit “Shpia e Agës” dhe “Zana”. I pari, me regji dhe skenar nga Lendita Zeqiraj, që tregon bashkëjetesën shqiptaro-serbe “veshur” mbi një djalosh 9-vjeçar, është vlerësuar së tepërmi nga kritikët.

"Zana"

Filmi “Zana” është filmi me të cilin Kosova do të konkurrojë për çmimin Oscar në kategorinë Best International Feature. Në “Zana”, me regji dhe skenar të Antoneta Kastratit, Matoshi është protagoniste në rolin e Lumës, një grua që humb fëmijën gjatë luftës në ish-Jugosllavi dhe përjeton ankthet dhe tmerret teksa kërkon të mbetet shtatzënë.

"Zana"

Për të sjellë një rol të tillë në mënyrën më natyrale të mundshme, Adriana Matoshi për muaj me radhë xhiroi në temperatura nën 29 gradë Celcius.

“Te filmi ‘Zana’ kam pasur një ndër rolet e mia më të vështira deri tani. Kam rolin e një nëne që humb fëmijën gjatë luftës dhe përballet me pasojat e pasluftës, me ankthe dhe ëndrra. Ishte i vështirë sepse është rol i rëndë. Skenat gjithashtu kanë qenë të vështira për t’u përjetuar si aktore. Kam xhiruar në dimër, tepër ftohtë, kemi xhiruar në një fshat të Pejës, natën. Kam hyrë në ujë ku përreth kishte vetëm akull. Më digjnin gishtat nga akulli. Xhiroja nën praninë e mjekut. Të mos flas sa i vështirë ishte roli për t’u përjetuar. Duhet të përqëndrohesha dhe të hyja në rol me shpirt që më vonë publiku ta besonte.” – u shpreh Matoshi në një intervistë për “Oxygen”.

Aq shumë u përfshi ajo në realizimin e figurës së Lumës, sa për dy muaj me radhë, pati probleme me ankthin dhe u këshillua me psikologë. Për rolin e saj te “Zana” ajo është optimiste se do t’i hapë edhe më shumë dyer në kinematografinë botërore.

Pavarësisht sukseseve, për aktoren është e rëndësishme që Kosova dhe vende të tjera të investojnë edhe më shumë te filmi; të rrisin buxhetet pasi një film i mirë kushton dhe kushton jo pak. Megjithatë, përpos vështirësive, Adriana Matoshi është aktualisht aktorja më në zë e kinematografisë shqiptare, që spikat për mënyrën origjinale në interpretimin e personazheve, të cilët nuk janë aspak të zakonshëm.

MOS I HUMBISNI