Shanset për një pandemi globale janë në rritje – dhe të gjithë janë të rrezikuar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.
(Shën.red Epidemi – sëmundje ngjitëse që përhapet me shpejtësi te njerëzit e një krahine, vendi apo disa vendeve. Në momentin që epidemia kalon kufijtë mes shteteve dhe kontineteve, kemi të bëjmë me pandemi)
Në një raport të botuar së fundmi, ekspertët shpjegojnë situatën aktuale përmes pandemisë së gripit në vitin 1918, një shembull i një katastrofe globale. Si pasojë e gripit, humbën jetën 50 milionë njerëz. Nëse një infeksion i ngjashëm ndodh sot, mund të ketë rreth 80 milionë viktima.
“Bota nuk është ende e përgatitur,” paralajmëron raporti i OBSH-së. “Për një kohë të gjatë, kemi lejuar neglizhencën ndaj pandemive. Ne përforcojmë përpjekjet kur ekziston një kërcënim serioz, ndërkohë që harrojmë të bëjmë më shumë gjëra kur rreziku kalon.”
Midis vitit 2011 dhe 2018, OBSH gjeti rreth 1,484 epidemi në mbarë botën, përfshi Ebolën, sindromën akute të frymëmarrjes etj. Këto epidemi dhe pandemi shkaktuan viktima në shumë vende, që përkthehet në dëme të mëdha ekonomike dhe sociale: humbje e vendit të punës, zhvendosje në vende të tjera dhe vdekshmëri e lartë.
Duhen shumë pak orë që njerëzit të lëvizin nga njëri vend në tjetrin, pavarësisht distancës gjeografike, ndaj mundësitë që një sëmundje të përhapet janë të larta.
Ndryshimi i klimës ka gjithashtu efekte negative përsa i përket pandemive. Ngrohja globale rrit rrezikun nga sëmundjet e shkaktuara nga mushkonjat Zika, që mund të përhapen në Europë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Një gjë e tillë, mund të vendosë në rrezik afro 1 miliardë njerëz.
Vendet e varfëra dhe pa kujdes të specializuar shëndetësor janë ato që goditen më shumë nga shpërthimet e sëmundjeve. Në këto vende, problemi thellohet edhe më shumë pasi banorët shfaqin mosbesim ndaj shërbimeve shëndetësore dhe refuzojnë të mjekohen. Konfliktet me personelin e qëndrave shëndetësore në disa raste ka qenë edhe i armatosur.
Organizata Botërore e Shëndetit kërkon nga udhëheqësit botërorë që të ndërmerren shtatë veprime konkrete për të zvogëluar rrezikun, duke përfshirë monitorimin e progresit gjatë samiteve ndërkombëtare, forcimin e koordimit të Shteteve të Bashkuara dhe ndërtimin e sistemeve përgatitëse.
*Përshtatur nga CNN