
Herën e parë që hyn tek blogu i Auretës, ngel. Për një moment gjithçka rreth teje ndalon, fashitet si me magji dhe ti e gjen veten duke belbëzuar me zë të ulët emrat e markave poshtë veshjeve të një bruneje sharmante petite “Lanvin, Dior Haute Couture, Chanel, Louboutin, Chanel 2.55”. Nuk janë linjë e dytë, as veshje të riprodhuara në Kinë sipas dizenjos origjinale. Jo, jo! Janë ato, origjinalet, direkt nga pasarelat, të blera përpara sezonit: veshje, këpucë e bizhuteri që po t’i mbledhësh së bashku, mund të të blejnë një apartament 70 m tek zona e ish-Bllokut. Të gjitha i vesh Aureta Thomollari, vajza nga Tirana që prej vitesh (e larguar nga Shqipëria kur ishte 12 vjeçe) jeton dhe shijon luksin dhe komfortin e gjërave të shtrenjta në Shtetet e Bashkuara. Në blogun e saj www.aureta.typepad.com çdo javë shtohen foto të reja të Auretës me veshje fantastike dhe peizazhe nga vende ku pjesa më e madhe e njerëzve (jo vetëm shqiptarë) as që e imagjinojnë të shkojnë: Aureta e veshur me një turban dhe 2 syze të mëdha në një jaht në Kanë, Aureta në Sidnej me çizme të hapura Louis Vuitton nga koleksioni “Resort 2010”, Aureta më fashionable se kurrë në një helikopter mbi malet me dëborë të Zelandës së Re me një xhaketë Chloe, syze Chanel dhe unazë me kafkë nga Alexander McQueen. E sheh në hotelet më të shtrenjta të botës, në spa-të më të mira të Amerikës, në restorante ku tavolina rezervohet një muaj përpara, në kokteje me elitën shoqërore të Uashington D.C. etj.
Në veshjet e saj dallohet një dashuri pasionante për modën, për detajet, që nga një veshje tradicionale indiane e blerë, sigurisht, në Indi deri tek një xhaketë me forma gjeometrike të theksuara të sezonit të fundit të Lacroix-së. Deri tani asnjë grua tjetër shqiptare nuk ka shkuar kaq larg në modë, nuk është bërë një “fashion icon” për qindra mijëra njerëz në të gjithë botën që çdo ditë futen në blog të shohin se ç’do të ketë veshur Aureta këtë radhë. E diplomuara me vlerësimet më të larta nga Business School në Marymount University në Virginia, bashkëpronare e një kompanie që konsulton biznese e individë se si të krijojnë një imazh luksi, është padyshim një nga shqiptaret e veshura më bukur. Vetëm se kur ia sheh fotot, aq me tepër kur lexon përbri çdo hyrjeje “Have a great day!” (Kalofshi një ditë të bukur), seç të krijon një boshllëk të çuditshëm. Po ç’ditë të bukur të kalojmë ne?! Pasi arrin të shkëputesh nga ky blog, nuk do as t’i hedhësh sytë gardërobës tënde.
Blogu yt është fantastik. Ke rroba të mrekullueshme. Si e nise atë?
Prej vitesh miq të mi kudo në botë më sugjeronin që të nisja një blog, sepse e kishin parë pasionin tim për modën dhe çdo gjë luksoze. Ata mendonin se të tjerët do ta vlerësonin dashurinë time për stilin, udhëtimin dhe kënaqësinë që ndieja kur ndaja eksperiencat e mia me miqtë dhe njerëzit e zemrës. Kam thënë “jo” shumë herë, sepse isha skeptike ndaj një forumi të tillë publik. Në dhjetor të vitit 2009 gjithçka ndryshoi. Isha me motrën time Julianën në Majami për pushime dhe një natë përpara se të hanim darkë ajo më tha “Kam hapur një blog me emrin tënd në Typepad.” Dhe ja ku u bëra me blog! Mendova gjatë mbi të dhe kuptova se ky blog mund të kishte shumë domethënie, do të ishte një hapësirë virtuale ku unë do ta ndaja pasionin tim me ata që ishin të interesuar. Thelbi i blogut është tek mundësia për të frymëzuar të tjerët me atë që më frymëzon mua.
Si ka qenë reagimi?
Ka kaluar çdo parashikim. Nuk prisja aq shumë komente pozitive. Që nga fillimi atë natë në Majami, blogun e kanë vizituar qindra mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Kam lexues nga mbi 100 vende dhe shumica e tyre jetojnë në Kroaci, Australi, Arabi Saudite dhe Shtetet e Bashkuara. Sikur të mos mjaftojë kjo, qindra bloge të tjerë kanë shkruar për mua dhe për blogun tim. Do të doja t’i falënderoja të gjithë për këtë mbështetje dhe dashuri.
Ti e përshkruan profesionin tënd si një këshilltare luksi. Ç’do të thotë kjo?
Unë jam një nga ata njerëz që u kushtoj shumë vëmendje detajeve. Eksperiencat e mia jetësore më kanë lejuar që të stërvit syrin për të kuptuar se çfarë është “luks”. Pasi mbarova shkollën e biznesit, së bashku me partnerin tim në biznes Dwayne Brice, themeluam “DNA Luxury”, që ndihmon bizneset dhe individët të kuptojnë përparësitë e një identiteti luksi dhe rëndësinë e përftimit të një marke që ka standardet e duhura. Kemi punuar me restorantet, për shembull, dhe i kemi këshilluar që nga pamja grafike e menysë deri tek silueta e uniformës së kamerierëve. Çdo detaj, çdo ndryshim ka rëndësi dhe llogaritet.
Rezultati?
Sukses në shitje, dhe vlerësime nga klientë.
Kur nise të interesoheshe për modën?
Më duket sikur gjithmonë kam qenë e dashuruar me modën. Kur isha fëmijë, u zgjidhja prindërve rrobat që do të vishnin në takim me prindër. Shija dhe sensi i stilit janë të lindura, rrjedhimisht edhe pasioni për modën. Stili është një mënyrë komunikimi për mua dhe moda është gjuha. Më pëlqen të flas me ngjyra, cohëra dhe silueta. Me kalimin e viteve jam edukuar më shumë në lidhje me modën, por gjithmonë ka qenë pjesë e imja. Ne shqiptarët, me pak përjashtime, vijmë nga një histori e njëjtë ekonomike gjatë periudhës komuniste. Këto gjëra që ti vesh sot, këta stilistë, i njihnin shumë pak njerëz që numëroheshin me gishta.
Ke menduar ndonjëherë se do të vinte një ditë e do të kishe një fustan që kushtonte 3.000 dollarë? Cila ka qenë blerja jote e parë firmato?
Prindërit e mi më blenë një fund të zi Jean Paul Gaultier dhe një pardesy lëkure Versace. Kur isha fëmijë, ëndërroja gjithmonë gjëra të mëdha dhe mendoja se mund të kisha çdo gjë që dëshiroja. Nuk pranoj kurrsesi “jo” për përgjigje. Rrjedhimisht, për mua, çmimi i një veshjeje nuk ka pasur kurrë rëndësi, për mua ka pasur rëndësi pyetja “A është e mundur?”. Jam besnike e “po-së” në jetë. Çdo gjë është e mundur.
Po vazhdoj të mbetem një shqiptare skeptike dhe të të pyes: A janë të gjitha ato veshje në blog të tuat apo të duhet t’i ekspozosh për qëllime pune?
Kjo është një pyetje e sinqertë. Çdo gjë që vesh në blog është e imja. Prej vitesh unë koleksionoj veshje të modës së lartë dhe vazhdimisht “redaktoj” gardërobën time. Jam shumë e lumtur dhe me fat për ato çka kam. Unë dua të frymëzoj lexuesit e mi që të shohin tek mua një person me një dashuri të vërtetë për artin e modës. Unë vesh të gjitha veshjet e mia personale dhe blogu reflekton stilin tim natyral.
Cila është blerja jote më e shtrenjtë?
Pas unazës sime të diamantit të fejesës, duhet të jetë çanta-kuletë rozë me lëkurë krokodili Chanel 2.55 (shën. red. Kjo çantë “alligator flap bag” kushton deri në 30.000 $).
Ndihesh e detyruar të dukesh perfekte në çdo moment të ditës për shkak të punës tënde dhe blogut?
Absolutisht jo, në fakt është e kundërta. Unë duhet të jem dhe gjithmonë jam vetvetja dhe më pëlqen që lexuesit e mi e vlerësojnë këtë.
Je takuar me njerëz të famshëm të Hollivudit? Ke këshilluar ndonjë prej tyre?
Unë kam jetuar në Los Anxhelos për shumë vite dhe atje isha bashkëpronare e një dyqani bizhuterish në Beverly Hills. Është një vend ku normalisht sheh të famshëm. Kam takuar shumë prej tyre, dy prej të cilëve, ata më të famshmit, janë Brad dhe Angelina. Kam studiuar për një periudhë kohe Kabbalah dhe kam takuar Madonna-n. Edhe pse “takimi” më i bukur në jetën time në fakt nuk ishte takim: Një herë pashë Karl Lagerfeld-in në hotelin “Bevery Hills”. Ngela pa frymë. Të jem e sinqertë, ata që unë i konsideroj të famshëm, nuk janë aktorë por dizajnerë.
Cili/a, sipas teje, është personi i famshëm që vishet më bukur?
Ikona e modës (jo pjesë e Hollivudit) Daphne Guinness.
“Washington Life Magazine” të quajti ty si një prej njerëzve më me influencë dhe të veshur më bukur në Washington D.C. nën moshën 40 vjeç. Si t’u duk ky vlerësim? Ke marrë vlerësime të tjera si kjo?
U ndjeva shumë mirë dhe shumë e mirëpritur. “Washington Life Magazine” më konsideroi si një prej 250 njerëzve më me influencë në Uashington dhe në këtë grup përfshiheshin asistentët e fjalimeve të presidentit, ambasadorë, kryetari i bashkisë së D.C., folës lajmesh dhe unë. Jam shumë e nderuar që kam ndikuar në shoqërinë dhe kulturën e kryeqytetit amerikan. “Fashion Washington” më zgjodhi një prej 6 njerëzve të veshur më mirë “që vodhën vëmendjen” gjatë një mbrëmjeje bamirësie. “Fashion Washington” është një revistë periodike që del me gazetën “Washington Post”. Revista “Washingtonian”, e cila shpërndahet në të gjithë Amerikën, më zgjodhi një nga 18 njerëzit më me stil në Uashington D.C. Ky numër do të dalë në treg në fund të gushtit. Më gëzon fakti që unë do të jem një prej pak njerëzve që do të promovohen në mbarë vendin.
Pse vendose të jetosh në Uashington? Unë kam jetuar aty dhe nuk më kujtohet të kem parë shumë modë. Njerëzit vishnin kostume të zeza dhe atlete të bardha për të shkuar në punë, ndërsa ti rri mes tyre me Oscar de la Renta dhe Louis Vuitton. E vlerësojnë stilin tënd njerëzit e thjeshtë?
Uashingtoni është qendra më e rëndësishme e pushtetit në botë. Është një qytet i bukur me një kulturë brilante. Edhe pse unë udhëtoj shpesh dhe e ndaj kohën time mes D.C. dhe Nju Jorkut, Uashingtonin e konsideroj shtëpinë time. Është e vërtetë që në D.C. moda nuk është primare, politika po. Por kjo nuk do të thotë se moda nuk vlerësohet apo nuk ekziston. Fakti që për mua është folur në disa media, duke përfshirë edhe “Washington Examiner”, e theksojnë këtë. Në Uashington ka modë dhe art, sepse është influencuar edhe nga fqinji i tij Nju-Jorku. Është një qytet plot me mundësi dhe po lëviz në drejtimin e duhur.
Sipas teje, ka ndikuar kriza ekonomike amerikane në modë?
Moda amerikane është në funksion të qytetarëve të saj dhe pikëpamjes që ata kanë për botën. Kriza ekonomike ka ndikuar padyshim. Ka shumë dizajnerë dhe dyqane të njohura që janë tronditur nga kjo gjendje. Por duhet të shohim anën pozitive. Kriza ka nxjerrë në pah një kërkesë për individualitet dhe origjinalitet. Në dekadën e fundit moda amerikane u njësua, por së fundmi, me rritjen e shpejtë të blogeve, moda po shkon drejt anti-trendit. Njerëzit po përziejnë veshje të modës së fundit me detaje personale. E parashikueshmja kombinohet me të paparashikueshmen.
Ndihesh më europiane apo më amerikane në stilin tënd?
Unë kam lindur në Shqipëri ndaj jeta ime në atë kulturë të mrekullueshme do të ndikojë gjithmonë në mënyrën se si e shoh stilin tim. Por nga ana tjetër, kam jetuar një pjesë të madhe të jetës në Amerikë dhe jam shumë e influencuar nga eksperiencat e mia këtu. Ndaj mendoj se stili im është një përzierje e të dyjave, një sintezë e dy kontinenteve, duke i shtuar pak Aureta për ta kompletuar.
Ti vesh shumë taka të larta. Cila është taka më e lartë që ke veshur deri tani?
Një palë stileto platformë të Dsquared gati 17 cm me gurë. Çuditërisht ato janë shumë të rehatshme.
Vjen shpesh në Shqipëri?
Kam qenë verën e kaluar dhe mundohem ta vizitoj çdo vit. Më pëlqen që femrat shqiptare, pavarësisht statusit ekonomik, gjithmonë duken të veshura mirë. Ato janë krenare për mënyrën se si duken. Kjo më ka influencuar shumë edhe mua.
Çfarë trendi preferon më shumë këtë sezon?
Jam e dashuruar me trendin e çizmeve të gjata. Do të doja të kisha një palë çizme të gjata me takë në formë shtylle kurrizore të DSquared. Ato janë të mrekullueshme. Më pëlqen gjithashtu se si Givenchy ka dekoruar gjithçka këtë sezon, që shkon me trendin e floririt tek Vivier dhe Louboutin që nga këpucët e lara me flori deri tek një kuletë fantastike, që vjen së bashku me një dorashkë. Është shumë e vështirë për një vajzë të zgjedhë vetëm një trend të preferuar (qesh).
Ke blerë ndonjëherë haute couture?
Po, jam me fat të kem në gardërobën time disa veshje vintage(shën. red. të veshura më parë nga dikush tjetër) haute couture. Është diçka e rrallë që të gjesh haute couture vintage për trupin tënd, sepse ato janë të qepura nga rrobaqepës për një njeri të vetëm. Ende nuk kam porositur diçka haute couture për veten time, por e vlerësoj shumë artin e të krijuarit të një kryevepre që vishet. Puna e madhe që bëhet për një veshje të vetme haute couture është e paimagjinueshme. Do të ishte një ëndërr të kisha diçka të qepur posaçërisht për mua.