KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Muzika

A ka ardhur koha që këngëtarët e mirë të mos këndojnë më klubeve?

Shkruar nga Anabel

14 Gusht 2019

Vitet e fundit, nisur fillimisht nga Alban Skënderaj (“Tingujt e ditarit tim”, “Hapësira e një ëndrre”), më pas nga Elvana Gjata (“3EP”) dhe së fundmi Tuna me (“Fortuna”), vihet re tendenca e këngëtarëve për t’ju rikthyer koncerteve recitale.

E fundit, që ndjeu nevojën dhe dëshirën për diçka të tillë, (përpos Capital T që po përgatitet për një koncert të madh),  ishte Ronela Hajati, e cila përmes një postimi në Instastory bëri me dije se po punon për një projekt të ri.

Dekadën e fundit, më fitimprurëse kanë qenë performancat e tyre nëpër club-e, ku edhe pse me kalimin e viteve pagesat janë rritur dhe kapin vlera deri në 20 mijë euro, kushtet nuk e  kanë merituar kurrë statusin në ngritje të disa këngëtarëve. Në thelb, vendodhja ka qenë gjithnjë diskotekë, pavarësisht përpjekjeve nga ana e disa këngëtarëve. Publiku që pi, skena një podium i sajuar, ndriçimi i njëjtë për pistat e kërcimit; të gjithë këto bëjnë që të mos ketë kërshëri për skenat e mëdha.

Sigurisht, që të bësh një koncert recital ka kosto të madhe, kushtet teknike kushtojnë, por të paktën për këngëtarët e famshëm të botës kjo ka rezultuar shumë herë më fitimprurëse sesa gjithë klikimet e klipeve të marra bashkë.

Në industrinë e muzikës në vendin tonë, ekziston gjithashtu frika e mbushjeve  të stadiumeve, pasi mund të godasësh me 1 herë të vetme, por a mund ta mbash plot turneun me një publik që është shumë më lokal krahasuar me atë të këngëtarëve ndërkombëtar? Sidoqoftë, ana tjetër ky risk është ai që i  jep vlerën më të madhe artistit (këngëtarit).

Pas viteve ’90-të, koncertet ishin trend qoftë për grupet e rrokut, qoftë për këngëtarë specifikë, përmendim këtu Ardit Gjebrean apo Aleksandër Gjokën.

Në një mënyrë apo një tjetër asokohe kjo ishte e vetmja mënyrë fitimi derisa u fut muzika turbo,tallava dhe këngëtarët nisën të merrnin pjesë edhe nëpër dasma...

Gjithsesi, 2 vitet e fundit artistët shqiptarë dhe të huaj kanë provuar që si koncertet recitalë ashtu dhe koncerte të tilla si Sunny Hill apo Alba Festival mbeten gjithnjë shumë pranë dhe të dashura për publikun.

Krahas kësaj, duke në fund të ditës vetë ata (këngëtarët) duket se po ndjejnë nevojën për t’u shkëputur nga platformat e sajuara të clube-ve dhe për t’ju afruar ëndrrës së parë të fëmijërisë.

Nëse kjo tendencë që po vihet re së fundmi zhvillohet edhe më, mund të themi pa frikë se është një gare e re që në fund do të bëjë dallimin mes artistëve të lindur për skena ë mëdha dhe këngëtarëve që mbeten vetëm interesantë në klipe.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

MOS I HUMBISNI