KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Mendja

A mund të jenë ngjitës ankthi dhe depresioni?

Shkruar nga Anabel

14 Gusht 2019

A mund të të zërë një sëmundje mendore si ankthi dhe depresioni ashtu si të zë gripi? Shumë njerëz besojnë se po, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Memory & Cognition. Në studim, pjesëmarrësit raportuan se pas në ndërveprimi me dikë që vuan nga ankthi, alkoolizmi, anoreksia apo edhe skizofrenia, sëmundja “u ngjitej” dhe atyre.

Përgjigjja sipas ekspertëve, është jo – sëmundjet mendore nuk janë ngjitëse. Por realiteti s’është binar. Është e vërtetë që ndikohemi nga emocionet dhe veset e njerëzve me të cilët kalojmë kohë. Nëse shoqja juaj e ngushtë vuan nga ankthi dhe është gjithnjë e stresuar dhe e shqetësuar, edhe ju mund të filloni të përjetoni të njëjtat emocione. Nëse një anëtar i familjes suaj vuan nga depresioni, mund të vini re luhatje në humor pasi kaloni kohë me ta.

“Emocionet janë ngjitëse sepse njerëzit janë qenie shoqërore që reagojnë ndaj mjedisit,” thotë judy Ho, psikologe klinike dhe kriminiale në Southern California. “Ngjitja emocionale do të thotë të ndjeni ose të shprehni të njëjtin emocion si ata rrotull jush sepse besoni se duhet të ndiheni njësoj. Vëzhgojmë të tjerët për të kuptuar si duhet të reagojmë dhe ngjitja emocionale është një formë e kësaj.”

Ama, të ndjesh ankth si shoqja jote nuk do të thotë se vuan nga i njëjti çrregulim. Për të vetmen arsye se sëmundjet mendore nuk mund të kalojnë nga njëri person te tjetri si gripi. “Çrregullimet psikologjike dhe psikiatrike nuk shkaktohen nga agjentë infektivë dhe prandaj nuk mund t’i ngjiten dikujt tjetër” shpjegon Gail Saltz, mjeke dhe pedagoge e psikiatrisë.

“Sëmundjet mendore shkaktohen nga një sërë faktorësh biologjikë, gjenetikë dhe mjedisorë,” vijon Ho. “Pjesërisht burojnë nga trajta të trashëguara, pasi sëmundjet mendore janë më të ngjashme te ata që kanë histori sëmundjesh të tilla në familje. Faktorët mjedisorë si trauma, abuzimi në fëmijëri apo edhe ekspozimi ndaj toksinave negative gjatë shtatzënisë mund të kenë lidhje me sëmundjet mendore.”

Kështu që, nëse keni frikë se mos ju shfaqet një sëmundje mendore, studioni historikun e familjes dhe jo njerëzit që ju rrethojnë. “Ideja se ndërveprimet shoqërore rrisin shanset e diagnostikimit me sëmundje mendore buron nga fakti se emocionet përçohen lehtësisht nga njëri te tjetri,” thotë Ho. “Por emocionet janë të përkohshme dhe nuk përfaqësojnë sëmundje domethënëse që kanë nevojë për trajtim.”

Burimi: Health

MOS I HUMBISNI