KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Anabel Dossier

Nga Era Rusi te Helena Kadare: Personazhet e famshëm që folën hapur për tradhtinë

Shkruar nga Anabel

24 Korrik 2019

Sado e hidhur të duket, tradhtia është për fat të keq tejet njerëzore dhe nuk kursen asnjë, qofshin këta njerëz të famshëm ose jo. Ndonëse për vite me radhë, një temë e tillë diskutohej nën zë, ashtu fshehtazi që “të mos e merrte vesh bota”, sot njerëzit, përfshirë këtu edhe personazhet e njohur, flasin hapur për një temë të tillë duke treguar nëse janë ose kanë tradhtuar.

E fundit që foli për tradhtinë e partnerit qe Era Rusi e ftuar te “E diell”. Këngëtarja ia doli të hidhte pas krahëve situatën e vështirë dhe e tregoi atë si një histori “të lezetshme” të së kaluarës. “Një ditë më ishte fikur telefoni, por duhet të shkoja në koncert,” u shpreh Era. “Ia marr telefonin shokut tim dhe i kërkoj atij të marrë disa tualete tek makina kur ndërkohë i vjen një mesazh nga një numër që unë nuk e njihja ku shkruhej: ’Mirë faleminderit’. Aq desha unë!”

Këngëtarja shtoi më pas se pas disa minutash mesazhi ishte fshirë çka vërtetoi në një farë mënyrë se ish-partneri e tradhtonte.

Adrola Dushi, në “25 pyetje me Prive” në prill të këtij viti, foli gjithashtu për tradhtinë.”E urrej trashtinë,” u shpreh ajo. “Jo vetëm tradhtinë në marrëdhënien me partnerin, por me njerëzit. Dhe kur më tradhtojnë, futem në guaskën time dhe nuk dua as të sqarohem. Nuk dua më asgjë. Thjesht është një person shumë larg meje. Ka ndodhur shumë, jam lënduar ekstrem shumë, e kam përjetuar ekstrem shumë, por kalon."

Në anën tjetër, në “Pop Culture” këtë maj, Ylli Limani tregoi se nuk e kanë tradhtuar ndonjëherë, por në fakt ai po, ka tradhtuar. “[Kam tradhtuar] shumë kohë më parë,” u shpreh ai.

Po kështu, DJ Vin Veli tregoi në “Octapod” në dhjetor të 2017-s se “ka tradhtuar dhe nuk është ndierë fare mirë me këtë”. “Po, kam tradhtuar, sigurisht. Por jam ndier shumë keq. Ndoshta mendoj që tradhtitë më kanë bërë të kuptoj që nuk qëndron gjithçka tek fiziku. Pastaj jam rezervuar dhe jam limituar prej atyre ndjesive që kam patur.”

U përfol se shkaku i ndarjes nga Bora Zemani ishte pikërisht tradhtia. Megjithatë, Vin Veli u shpreh tek “Rudina” se kjo s’është aspak e vërtetë.

Albërie Hadërgjonaj tregoi në “Top Show” në maj të një viti më parë, se ish-bashkëshorti “e ka trashtuar gjithmonë”. “E kam njohur ish-burrin shumë shpejt, që në kohën kur nuk dija ta puthja,” u shpreh këngëtarja. “Të jem e sinqertë, ai deshte të më linte që në kohën kur u martua.” Në vijim, Albëria shtoi se të dy ishin fëmijë kur u njohën, ndaj në një farë mënyre nuk i vinte faj. Sot, ata kanë një raport korrekt me njëri-tjetrin si prindër të dy vajzave, Agnesa dhe Anxhelina Hadërgjonaj.

Më shumë se keqardhje, Hueyda El Saied mori duartrokitje në nëntor të 2017-s, kur foli në “Top Show” për tradhtinë e ish-partnerit francez, Michael Tamisier, me të cilin bashkëjetoi për 5 vite. “Si mund të ndihet një njeri që tradhtohet?” tha ajo. “Dy javët e para qava. Pastaj thash unë duhet të mbledh veten, nuk jam as e para as e fundit. Jeta vazhdon. Dashuria mbaron. Ai më ka dhënë dhuratën më të bukur, Gabriel-in.”

Frederik Ndoci është i martuar me Alisa Barakun, me të cilën ka dy fëmijë. Përpara kësaj, 2 martesat e këngëtarit nuk shkuan edhe aq mirë. Martesa e parë përfundoi pas 17 vitesh martesë pasi ish-bashkëshortja i tha se ishte lesbike. Siç edhe tregoi te “Zonë e Lirë” në 2012-n, Ndoci e kishte kapur mat duke u puthur me një grua tjetër. Ndër të tjera, ai shtoi se ata u njohën në kohën e gabuar në vendin e gabuar, pra në periudhën e komunizmit dhe ai gjithnjë e kishte ndierë se ajo nuk ishte fort e lumtur me martesën e tyre që përfundoi pas 17 vitesh.

Në biografinë “Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare rrëfen shenja të njëpasnjëshme të tradhtisë të Ismail Kadaresë si letra dashurie e shënime në ditarin e tij. E megjithatë, pas më shumë se gjysmë shekulli martesë, çifti Kadare është sërish bashkë sepse ajo mësoi të falte. Marrëdhënia e tyre ishte për ta “më shumë se thjesht bashkëshortë” dhe asnjë flirt nuk i ndau.

Në një intervistë për Beti Njumën në vitin 2011, Helena Kadare u shpreh: “Me famën dhe njohjet që kishte, ishte e natyrshme të tërhiqej. Sigurisht që çdo grua e përjeton me xhelozi, por me kalimin e kohës kuptova se asnjë nga këto gjëra nuk mund të na çonin drejt ndarjes.”

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

MOS I HUMBISNI