
E ftuar në “Wake Up”, Nora Burda, mjeke okuliste, theksoi se të gjithë në vend janë të rrezikuar nga keratokonjutiviti epidemik, i njohur në gjuhën popullore si gripi i syrit, në rast se nuk merren masat e duhura parandaluese.
Gripi i syrit është ngjitës dhe transmetohet përmes:
- kontaktit të drejtpërdrejtë të gishtërinjve me sytë;
- përdorimit të produkteve kozmetike nga disa persona;
- kontaktit me peshqira/këllëfë që mund të bëhen shkak për transmetimin e virusit;
- tështimës, kollitjes.

Shenjat kryesore:
- skuqje e të bardhës së syrit;
- enjtje e kapakëve të syrit;
- lotim;
- ndjesi e një trupi të huaj në sy;
- dëshirë për të fërkuar syrin;
- irritim, djegie;
- shqetësim nga drita.

Si mund ta parandaloni?
1. Lani duart në mënyrë të vazhdueshme me ujë dhe sapun.
2. Nëse dikush është i prekur nga gripi i syrit, lani menjëherë duart pas kontaktit me të.
3. Përdorni vetëm sendet tuaja personale (peshqirë, batanije, çarçafë dhe produkte kozmetike).
Nëse keni disa nga shenjat e mësipërme, kontaktoni menjëherë me mjekun e familjes.
Burimi: Instituti i Shëndetit Publik & Agjencia Telegrafike Shqiptare