KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Instagramming

Përdhosën bustin e Françesk Radit! Rozana: ‘Nuk e di në cilën fytyrë t'ju pështyj'

Shkruar nga Anabel

16 Korrik 2019

Një video e dy të rinjve që përdhosin bustin e Françesk Radit, i cili u vendos në Parkun e Liqenit në Tiranë me rastin e 1 vjetorit të ndarjes nga jeta në prill të 2018-s, është bërë shkak i një reagimi të ashpër në rrjete sociale nga qytetarë të thjeshtë, dashamirës të artit dhe figura të njohura publike.

“Është bërë virale sot një video, ku dy adoleshentë dhunojnë bustin e kantautorit Françesk Radi. Përveç lidhjes familjare, sot dua të flas si qytetare e këtij vendi në të cilin dua të rris nesër fëmijët e mi,” shkroi Rozana Radi në Instagram. “Dua të flas si një dashamirëse e muzikës. E kam parë që në orët e para të paradites këtë video dhe ende jam në pritje që 'policia do t’i identifikojë autorët', të cilët do të vihen përpara përgjegjësisë! Keqardhje e madhe për këtë brez që po rritet në Shqipëri. Do isha shumë kurioze t’i njihja nga afër këta dy adoleshentë e t’i pyesja se çfarë ju bëri busti i një artisti i cili i dha aq shumë muzikë Shqipërisë.”

Më tej, ajo ndalet te koha kur Françesk Radi ishte i ri. “Në moshën tuaj, Franko pas shkolle merrte këtë kitare që ju po përpiqeni t’ia hiqni nga duart dhe këndonte. E internuan, e larguan nga nëna, nga babai, nga motrat, nga vëllezërit, por kitarën nuk ia hoqën dot. Nuk di në cilën fytyrë t’ju pështyj e t’ju tregoj gjithë zemërimin tim, të vajzës, të djalit, të bashkëshortes, por më shumë të spektatorit që Franko i dha gjithë rininë. A i keni bërë pyetjen vetes nëse i keni lumturuar me këtë gjest familjaret tuaj? A janë krenarë për atë që ata përfaqësojnë.”

“Ju lutem autoriteteve të ndjekin rastin dhe t’i vënë para përgjegjësisë të dy këta palaço, të cilët na e bëjnë pis artin, kulturën dhe rininë shqiptare! Sot është dhunuar një vlerë publike. Nesër një tjetër e një tjetër.” përfundon ajo duke nisur edhe nismën #mambroartistin, e cila është përkrahur nga shumë qytetarë të thjeshtë e personazhe të njohur.

MOS I HUMBISNI