“Hostel by Anabel” u shfaq për herë të parë në qershor të vitit të kaluar, asokohe në In Tv, ku bëri përshtypje fakti se personazhet nuk ishin pjesë e televizionit dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për protagonistet – Megi Pojani, DeaMishel Hoxha, Alberta Kamenica, Ana Haxhimali dhe Viola Gjolekaj – por edhe për personazhet që u bënë pjesë e rubrikave dhe skeçeve të ndryshme. E ftuar pasditen e sotme në “E diell” në Top Channel, krijuesja dhe producentja e “Hostel by Anabel”, Dalina Buzi, tregoi më shumë për arsyen pse programi u ndërtua me njerëz deri-diku të panjohur dhe pa eksperienca në televizion.
“Një pjesë e tyre kanë punuar te Anabeli si gazetare dhe doja t’i merrja ashtu siç ishin, natyrale. Ato janë interesante edhe në jetë,” u shpreh Buzi, e cila theksoi më pas se “nëse nuk je interesante në jetë, nuk ke për të qenë kurrë në televizion”.
“Ndonjëherë në televizione, vajzat merren dhe strukturohen, futen në një kuadrat dhe u jepen disa rregulla. Jo gjithmonë për faj të tyre, por ndonjëherë perfundojnë në disa programe [të papërshtatshme]. Prezantuese si Ellen DeGeneres apo Oprah Winfrey janë njerëz të lirshëm që kanë ndarë historitë e tyre para se të merrnin vesh historitë e të tjerëve. Kjo është të jesh e vërtetë. Më interesonte vërtetësia dhe koncepti i diamantit të ashpër – unë e pastroj dhe ai është diamant. Pra, vajzat nuk kanë këto rregullat dhe strukturat, të mira ose jo të mira, varet me kë punon.” – përfundon ajo.
Sigurisht që në sezonin e dytë, “Hostel by Anabel” u përqafua nga disa figura që punojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo me televizionin, kjo për shkak se kaloi në një tjetër dimension, duke sjellë web-series e parë në Shqipëri, #Love #Likes #Tirana, që u shndërrua në një revolucion kinematografik.