KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Shqipëria

Sa janë dënuar në Shqipëri baballarët që kanë përdhunuar të bijat!

Shkruar nga Anabel

11 Korrik 2019

Të martën e kësaj jave, opinioni publik u shokua pas denoncimit të bërë në “Fiks Fare” nga një vajzë – identiteti i të cilës nuk është bërë publik – kundrejt babait. Për tre vite me radhë, ai abuzoi seksualisht me të bijën. Fill pasi ngjarja u bë publike, Ministria e Brendshme reagoi menjëherë dhe brenda pak orësh u bë arrestimi i shtetasit që jetonte në Kurbin, raportoi Fiksi në emisionin e ditës së djeshme (e mërkurë, 10 korrik). Sipas "Fiks Fare", 18-vjeçarja u mor menjëherë në kujdestari nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale. Ende nuk është bërë e qartë se ç’pritet të ndodhë me nënën e saj, e cila u vu në dijeni të rastit, por fillimisht nuk e besoi, ndërsa më pas i tha të bijës se “çfarë u bë u bë” dhe “historia duhej të mbyllej me aq”.

Një histori pak a shumë të ngjashme rrëfeu edhe një vajzë anonime katër vite më parë në “Historia Ime” në rubrikën “E diela trend” te “E diela shqiptare”. E intervistuar nga Dalina Buzi, vajza rrëfeu se babai e kishte përdhunuar që në moshën 8-vjeçare. Në fillim, puthjet dhe prekjet ai i justifikonte me dashurinë babë-bijë, derisa një ditë e përdhunoi. Abuzimi seksual zgjati për plot shtatë vite.

Nisur nga rasti tronditës, në studion e “E diela shqiptare”, Ardit Gjebrea e pati të pamundur të kontrollonte emocionet duke u shprehur publikisht se të tillë persona meritojnë dënimin maksimal.

Nisur nga kjo, sa janë dënuar në Shqipëri raste të tilla?

Në janar të 2016-s, Gjykata e Lezhës dënoi me 30 vite burg F.M, i cili përdhunoi të bijën, 17 vjeçe. Pasi denoncoi të atin, e mitura i dha fund jetës me fotoksinë.

Tre vite më parë, Gjykata e Tiranës dënoi me 10 vite burg A.L, i cili për pesë vite abuzoi seksualisht me të bijën e mitur. Ajo rrëfeu se abuzimi kishte ndodhur kur ishte 12 vjeçe dhe e pandërgjegjshme për veprimet e të atit.

Në tetor të 2016-s, shtetasi shqiptar me inicialet F.G u denoncua nga e bija 15-vjeçare asokohe për abuzim seksual. Pas hetimit, u gjet spermë në të brendshmet e 15-vjeçares dhe F.G u dënua me 10 vite burg.

Një tjetër rast i ngjashëm tronditi opinionin publik, por këtë herë ngjarja u gjykua në Greqi. Një 38-vjeçar nga Tepelena përdhunoi të bijën e mitur, 15-vjeçare. Ai u dënua me 50 vite burg, ndërsa e ëma me 15 pasi ishte në dijeni të veprimeve monstruoze dhe nuk kishte bërë asnjë denoncim.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon dënime të ndryshme në varësi të rastit:

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale ndërmjet prindit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, ndërmjet vëllezërve, motrave, ndërmjet personave të tjerë që janë gjini (lidhje gjaku) në vijë të drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie ose të birësimit, dënohet me burgim gjer në shtatë vjet.

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet. 

Po kështu, për marrëdhëniet seksuale me dhunë (përdhunimet) me të mitur të moshës 14-18 vjeç, parashikohen dënime nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kur përdhunimi kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dhe fëmija vuan pasoja tepër të rënda shëndetësore, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Siç mund ta shihni, të vetmet raste kur ~mund~ të aplikohet dënimi i përjetshëm janë rastet kur fëmija ka humbur jetën ose është vetëvrarë. Në të kundërt, për baballarët përdhunues Gjykata mjaftohet me afro 10 vite burg...

MOS I HUMBISNI