Pavarësisht bashkëpunimeve të mëvetësishme, u deshën disa vite që Nora dhe Era Istrefi të realizonin një këngë së bashku. E publikuar në prill të këtij viti, “Nuk e di” duket se i hapi rrugë edhe performancave të dyshes në skena të njëjta. Dje, Era dhe Nora performuan për herë të parë bashkë në skenë, në Colour Day Festival në Athinë.
Krahas emrave si Eleni Foureira, Kaan, Morandi etj., motrat Istrefi ndezën skenën të shoqëruara edhe nga dy balerina.
Siç mund ta shihni, ato zgjodhën të visheshin sa njësoj, aq edhe ndryshe.
Detaji i ngjyrës rozë të shpërhapur në formën e një “shkarravine” i bën veshjet e tyre të duken si një kombinim matchy-matchy, ndonëse secila ruan qartë identitetin e saj. Nora, e cila ka zgjedhur fustanin e shkurtër dhe këpucët, shoqëruar me aksesorë Chanel, qëndron brenda stilit të saj prej foxy lady.
Era nga ana tjetër përfaqëson një stil alla Billie Eilish, me të cilin është identifikuar që prej fillimeve të saj: atlete, pantallona të gjera, crop-top me dantellë dhe aksesorë Moschino.