KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Shqipëria

Sa janë shanset që PS të shkarkojë presidentin Meta?

Shkruar nga Anabel

10 Qershor 2019

Siç mund ta keni lexuar, sot (10 qershor) presidenti Ilir Meta firmosi shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Fill pas këtij vendimi, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali deklaroi se “kanë nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Meta, duke filluar nga seanca e të enjtes”. Një gjë të ngjashme, kryeministri e tha edhe gjatë mitingut të mbajtur në qytetin e Burrelit.

Por çfarë parashikon Kushtetuta për një situatë të tillë?

Në nenin 90 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet se “presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”. Po kështu saktësohet se propozimi për shkarkimin e tij bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve (93 vota), të cilat Partia Socialiste e vetme nuk i ka.

Por edhe nëse sigurohen votat dhe Parlamenti e aprovon një gjë të tillë, vendimi i fundit i takon Gjykatës Kushtetuese. “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.”

Mirëpo momentalisht Gjykata Kushtetuese është jofunksionale çka e bën gati të pamundur shkarkimin e presidentit.

MOS I HUMBISNI