KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Letra e ditës

Ty, ish kolegut tim!

Shkruar nga Anabel

22 Maj 2019

“Kam dashur realisht të të shkruaj një letër para se të ikja larg vendit, por s’munda. Ashtu siç nuk munda kurrë të të shihja në sy dhe të rrëfeja ç’mbante brenda zemra ime. Ne të dy punonim prej vitesh bashkë, por ti nuk di shumë gjëra, ose ndoshta i lexon këtu. Ka gjasa që edhe t’i kesh marrë me mend ashtu siç ka të mos i marrësh vesh asnjëherë.

Më duhej se s’bën ta çliroja shpirtin e ta lija zemrën të lirë, ndaj po e bëj. Edhe pse e dija që do ikja, prap s’munda.Të të them që eksperienca më e bukur e punës për mua ka qenë këto vitet e fundit, nuk besoj që është e nevojshme, sepse këtë ti e di.

E di ti që unë momentet më të bukura i ruaj aty, në atë zyrë ku tani nuk kam as guximin të kaloj më. Më ngjan sikur po të kaloj, do dëgjoj të qeshurat tonë gjatë pushimit, apo kafetë e mëngjesit bashkë. Ah, sa gjëra jetuam në atë vend dhe fati im i keq është se kam memorie aq të mirë sa mbaj mend çdo detaj.Apo, kështu ndodh kur dashuron?

Të të them që mezi prisja të gdhinte dita e të të shihja, të të them që kur ti mungoje më kaplonte një boshllëk në zemër. Ditët e pushimit ishin ditët më të gjata të vitit. Sa herë kaloje e të ndjeja hapat trupi më rrënqethej. Për të mos folur për bisedat me ty, që ishin më të bukurat ndonjëherë, më qetësonin shpirtin.

Kthimet me ty për në shtëpi ishin mënyra më e bukur se si mbyllej dita ime. A mund të të them që çmendesha kur kuptoja që ti po flisje me dikë tjetër dhe haja veten më dhëmbë për të mos e shfaqur. Të të them që vdisja të të përqafoja e të të ndjeja pranë...Vetëm mbyllja sytë për ta imagjinuar, se rrugë tjetër s’kisha.

Unë, i dëgjoja çdo ditë këngët e tua, kurse ti ishe çdo natë në ëndrrat e mia. Kam shpresuar shumë që mes nesh të kishte diçka, madje kam pritur gjatë që të paktën një nga këto që po them unë tani, të ma thojë ti ndër vite. S’e the kurrë, as atëherë dhe as tani që ika. Asnjëri nga të dy s’e tha.

E kuptova që nga ana jote s’kishte asgjë për të thënë, thellë thellë e kam ditur gjithnjë, që në momentin që fillova të ndjeja. E dija, por thjesht s’ndalesha dot. E ke parasysh kur ta kërkon shpirti? Dyshoj!

Sa herë mërzitesha për këtë gjë, aq herë më lindte një shpresë nga hiçi që do më çonte drejt një mundësie. Nuk doja të humbisja kurrë ndjesinë që përjetoja kur të kisha pranë. Ah sikur vetëm ta dije...

Gjithsesi, më beso për diçka. S’të mbaj mëri dhe pse ajo që unë doja s’u bë kurrë. Më thoje gjithmonë që gjërat janë të shkruara dhe e di që ndoshta kështu ishte e shkruar. Njësoj siç e di sa përzemër më ke dhe sa respekt ke për mua.

E kam kuptuar në çdo provokim tëndin që më bëjë për të parë nëse unë ndjeja diçka më tepër për ty, sidomos kur more vesh që do largohesha. Edhe pse jam përpjekur të mos e jap veten e di që sytë më kanë tradhtuar duke treguar të kundërtën. Nuk e di ç’ke parë ti tek sytë e mi,por unë tek të tutë pashë dritën e një shpirti të bukur dhe jete plot gjallëri.

Unë përpiqem të të kuptoj dhe e di që kur s’ke asgjë me dikë, e lë të ikë sikurse ika dhe unë. Pavarësisht se mua më dhemb, gjërat kuptohen. Të falenderoj! Ti s’më lëndove, lëndova unë veten.Këtë barrë që ndjej tani s’do t’ja uroja askujt dhe prandaj vendosa të të shkëpus që ditën që ika. Uroja që pesha e saj të humbte nëpër kohë. Jam e lumtur që të njoha, më mungon. Përgjithmonë, ish-kolegu im!"

Shënim*: Letra ka ardhur në inbox-in e Anabel Facebook nga një vajzë, emri i të cilës mbetet anonim

MOS I HUMBISNI