Eleni Foureira së bashku me Conchita, Måns Zelmerlöw dhe Verka Serduchka performuan në natën finale të Eurovisionit. Gjatë performancës, një tabelë e MyHeritage e paraqiti Eleni-n si 68.9% nga Greqia dhe nga Italia jugore.
MyHeritage (Origjina ime) – sponsor i Eurovision 2019 në Tel Aviv – është një platformë online gjenealogjike, e cila mundëson që përdoruesit të ngarkojnë të dhëna për të gjetur historikun e origjinës së tyre. Gjithashtu MyHeritage ka edhe një shërbim testimi të ADN-së, të njohur si MyHeritage DNA.
Eleni iu nënshtrua një testimi të ADN-së, nga e cila rezultoi se është 68.9% greke dhe italiane, 29.8% ballkanase dhe 1.3% hebre Ashkenazi (popullsi e diasporës hebreje që u bashkua me Perandorinë e Shenjtë Romake në fund të mijëvjeçarit të parë). Pasi u informua për origjinën e saj në një intervistë të realizuar disa ditë para finales, ajo reagoi e habitur.
“Vërtet? Italiane? Nuk e kam idenë! Prisni, jam pothuajse 70% greke? Do qaj. Unë nuk jam greke, por ndihem si e tillë," shprehet ajo duke sqaruar që nuk është nga Greqia dhe aq më pak nga Italia. "U rrita në Greqi dhe kam të njëjtin mentalitet.” Këngëtarja shton se “priste të ishte më shumë me origjinë nga Ballkani, të paktën 50%”.
Në korrik të një viti më parë, në një intervistë për Jonida Podcast të publikuar pak ditë pas koncertit të Eleni Foureira-s në Tiranë, këngëtarja foli pak nga të gjitha, përfshirë këtu karrierën, të ardhmen, fëmijërinë dhe sigurisht emigrimin dhe familjen. Më parë, Eleni e ka mohuar origjinën shqiptare për shkak të paragjykimeve, por më pas ka rrëfyer se u largua nga Fieri në moshën 1-vjeçare.
Gjatë netëve të Eurovision 2018, një foto ku shfaqej me Eugent Bushpepa duke bërë simbolin e shqiponjës u bë shkak që një lum akuzash dhe ofendimesh të lëshoheshin mbi përfaqësuesen e Qipros. Gjatë një interviste për televizionin grek “Star Tv” Eleni foli rreth eksperiencës së saj në Lisbonë të Portugalisë dhe sulmit në fjalë.
“Gjithë këto emisione më bënë mbeturinë vetëm që të nxirrnin ndonjë lajm kryesor duke mbështetur disa lajme të pavërteta. Më shokoi shteti që unë dua, ku kaq papritur m’u kthyen të gjithë kundra. Kjo më lëndoi më shumë. Asnjëri nga ata racistë që dikur më shtynë të ndjej turp dhe të kem frikë të them se kush jam në të vërtetë nuk do më bëjnë të urrej Greqinë.”