Marka amerikane e luksit, Calvin Klein ka kërkuar ndjesë për videon e fushatës së tyre më të fundit, në të cilën modelja Bella Hadid shfaqet duke puthur robotin femër Lil Miquela.
“Jeta ka të bëjë me çeljen e mundësive. Të krijosh ëndrra të reja që kurrë s’e dije që ekzistonin.”
Reklama 30- sekondëshe nxiti kritika të shumta në rrjetet sociale për vetë faktin se Hadid identifikohet si heteroseksuale, ndërkohë që sipas komentuesve, “ka pafund modele të komunitetit LGBTQ+ që mund të ishin përfshirë”.
Po kështu, videoja u konsiderua si një metodë komerciale për të marrë sa më shumë përfitime.
“Majft e përdorët të qenurit lezbike për të shitur rroba. Nuk jemi zbukurim për njerëzit.” shkroi dikush.
Nxitur nga e gjitha kjo, në një deklaratë të postuar nga ana e markës në fjalë shkruhet:
“Koncepti i fushatës sonë të fundit #MYCALVINS është promovimi i lirisë së shprehjes së një game të gjerë identitetesh, përfshirë një spektër gjinor dhe identitete seksuale. Kjo fushatë specifike u krijua për të sfiduar normat dhe stereotipat konvencionale në reklama. Në këtë video të veçantë kemi hulumtuar linjat e turbullta mes realitetit dhe imagjinatës.”
Më tutje vazhdon:
“Si një kompani me një traditë të gjatë në përkrahjen e të drejtave të LGTBQ +, sigurisht që nuk ishte në qëllimin tonë të tregonim mungesë respekti ndaj komuniteit LGBTQ+. Ne sinqerisht pendohemi për çdo fyerje të shkaktuar.”
Diçka e ngjashme ndodhi ditë më parë me Gucci- n, ku imazhet e pashembullta të reklamës më të fundit nxitën komente të shumta.