KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Shqipëria

Vlonjatët, tiranasit dhe kush tjetër? Këta qytetarë shqiptarë kanë më shumë lekë në bankë!

Shkruar nga Anabel

16 Maj 2019

Pavarësisht problemeve ekonomike dhe pagave të ulëta, shqiptarët kanë mundur edhe këtë vit të kursejnë e më pas t'i depozitojnë paratë në bankë. Nisur nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT- it, në këtë artikull do të mësoni se cilat qytete kryesojnë përsa i përket depozitave bankare.

Tirana, qyteti ku jeton një e treta e popullsisë dhe ushtrojnë aktivitet rreth 40% e bizneseve ka dhe nivelin më të lartë të depozitave për banor, saktësisht 3,086 euro. Në vlerë absolute, banorët e Tiranës kanë në banka rreth 345 miliardë lekë kursime, ose 68% të depozitave në kryeqytet. Pjesa tjetër u përket kryesisht bizneseve, ku në kryeqytet janë të përqendruara gjysma e tyre.

Në vend të dytë, për treguesin e depozitave për frymë është Vlora, me 2,860 euro, në një nivel të ngjashëm me Tiranën. Vlonjatët kanë arritur të kursejnë kaq shumë, ndonëse të ardhurat e tyre për frymë janë nën mesataren e vendit (Sipas INSTAT, të ardhurat për frymë në Vlorë janë 3,362 euro dhe mesatarja e vendit është 3,734). Edhe shpenzimet mujore për frymë të familjeve janë sa 66% e atyre të kryeqytetit. Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se Vlora është ndër qarqet me papunësinë më të lartë në vend, me 18.5% në fund të 2018-s, i dyti pas Lezhës. Ky kontrast i kursimeve të larta në raport me të ardhurat dhe papunësinë mund të shpjegohet me faktin që historikisht Vlora, për vetë pozicionin gjeografik, ka qenë një destinacion për trafiqet e paligjshme, që gjenerojnë të ardhura informale, si dhe me prurjet e emigrantëve. Në total, individët vlonjatë kanë në banka 67.8 miliardë lekë, duke u renditur të tretët në vlerë absolute pas Tiranës e Durrësit.

Në vend të tretë për nivelin e lartë të kursimeve në raport me popullsinë janë durrsakët, me 2,146 euro depozitë për banor. Durrësi renditet i katërti në të ardhurat për frymë në vend, pas Tiranës, Fierit dhe Gjirokastrës, por është i dyti për shpenzimet mujore të familjeve.

Në vend të katërt janë korçarët, me 1,914 euro depozitë për banor në fund të tremujorit të parë 2019. Korçarët janë kursimtarë dhe në shpenzimet mujore të familjeve, duke u renditur në tre qarqet që shpenzojnë më pak, së bashku me Elbasanin dhe Vlorën. Shkodranët kanë nivel kursimi të ngjashëm me Korçën. Elbasani e ka këtë tregues në 1,623 euro. Fierakët, ndonëse renditen të dytët për të ardhurat për frymë nuk janë kursimtarë aq të mirë, me rreth 1,400 euro depozita për banor. Të fundit, siç raporton Banka e Shqipërisë renditen lezhjanët, me rreth 1,226 euro.

Burimi: Monitor

MOS I HUMBISNI