Në emisionin “NIN”, Don Phenom foli ndër të tjera edhe për raportin me Noizy-n, fillimisht duke u ndalur te diss-i i tri viteve më parë, kur reperi nuk ishte fort i njohur.
“Të më kishe pyetur para dy viteve, do të bënim muhabet për këtë temë të paktën për gjysmë ore,” tha Phenom dhe më pas vazhdoi duke theksuar “se po merret me tjetër energji, tjetër muzikë”. Në vijim, ai shton se diss-et janë në natyrën e muzikës hip hop.
Alaudin Hamiti e pyet gjithashtu edhe për debatin e pak kohëve më parë, kur Don Phenom thumboi publikisht Noizy-n se i kopjoi këngën. “Fansat e analizojnë se çfarë ke berë ti. Në Amerikë thonë se kur të imitojnë, është për mirë. Nuk kemi patur mundësinë të sqarohemi, por ai është në punën e vet, ndërsa ne në tonën.”
Pas lançimit të këngës “Meksikane” në tetor të një viti më parë, disa ndjekës vunë re që një pjesë e tekstit ngjasonte me këngën “Twerkirate” të Don Phenom-it. “Duket meksikane po m’duket se asht shkodrane/ por m’duket se s’jam i sigurt se dialektin pejane [sic]” (Noizy). Ndërkohë në këngën “Twerkirate”, Don Phenom thotë: “E do tjera sikur t’Republikës Domenikane/noshta duket si spanjolle ngaqë asht shkodrane [sic].” Aq u desh dhe Don Phenom thumboi Noizy-n në Instagram duke shkruar se “Nëse fjal t’mira najher shkruni, asht kur po i merrni tekstet tona e pak ma ndryshe po i thuni [sic].”
Megjithatë, siç theksoi në “NIN”, ai po merret me tjetër muzikë këto kohë. “I urojmë sukses të gjithë estradës, të vazhdojnë të bëjnë muzikë të mirë. Veç gëzohem kur ju shoh mirë.”
Intervistën e plotë e shihni këtu: