Në vazhdën e këngës “So Am I” – e cila trajton rëndësinë e të qenurit ndryshe – Ava Max iu drejtua Instagram-it për të ndarë më ndjekësit problemet me vetëbesimin, ngacmimet dhe bullizmin.
“Interneti është një vend qesharak. Gjithkush dhe çdo gjë është gjithmonë e përsosur,” shprehet fillimisht ajo. “Ndërkohë që gjërat mund të duken të mahnitshme në sipërfaqe, unë kam luftuar gjithnjë që të ndihem e pranuar.”
Më tej Ava sqaron se ka vuajtur nga ankthi, bullizmi dhe “erdhi një pikë kur kuptoi se nuk përshtatej me botën, të cilën shoqëria e krijoi për të”. “Isha në gjendje të ndihesha vërtet rehat me veten dhe të zotëroja ndryshimet, të cilat i fshihja prej kohësh.”
Vetëm pasi arriti të donte veten, këngëtarja qe në gjendje “të ndihej e lirë”. “E lirë për të qenë vetvetja, për të qenë kreative,” shton ajo.
“Kjo është historia ime. Shpresoj që të gjithë të ndjeni se dikush ju do për atë që keni brenda. Pasi të jeni në gjendje të doni veten, do të kuptoni si do të ndryshojë jeta juaj.”