
Moderatorja e emisionit “Nga shqiptarët për shqiptarët", Ola Broka, është e radhës që ka kritika për ”Në kurthin e Piter Pan”. “Emisionin ‘Piter Pan’ s’e kisha parë deri në momentin kur i ftuar ishte miku im Sidrit Bejleri. E ndoqa deri në fund atë natë dhe me thënë të drejtën qesha dhe unë me pyetjet e fëmijëve dhe përgjigjet e Sidit. Ndërkohë vura re që disa prej fëmijëve bënin më shumë se një pyetje dhe të tjerët një ose asnjë,” shkruan ajo në Instagram.
Më tej vazhdon duke u shprehur se “vajza e saj e pyet: Mami, po këta fëmijët e tjerë pse nuk janë si këta dy djemtë që flasin shumë?”. “Nuk e di nëse është kjo një zgjedhje regjisoriale, por nëse është kështu mendoj se është e gabuar. Diferencimi nuk iu bën mirë fëmijëve. Në psikikën e tyre krijohet mendimi se ata nuk do të jenë të ‘përzgjedhur’ nga dikush dhe kjo i shoqëron pa e kuptuar gjithë jetën. Mes këtyre fëmijëve të këtij programi televiziv është edhe i etiketuari ‘taramelja’.”
Broka shton më tej se “Xheison mund të bullohet për shkak të këtij etiketimi” dhe më pas shton: “Po fëmijët e tjerë në program në ç’kushte jetojnë? Iu pikon çatia edhe atyre? Do të ndiqet situata e tyre social-ekonomike?”, duke iu referuar nismës së Alketa Vejsiut për t’i rregulluar shtëpinë Xheisonit.
Të njëjtën gjë trajtoi ndër të tjera edhe psikologia Jeta Dedja. “Të diferencosh një fëmijë mes të tjerëve nuk është e pranueshme. Fëmijët e tjerë nuk ndihen mirë kur dikush trajtohet si 'star' në mes të skenës, apo merr vëmendje të veçantë prej prezantueses dhe të të ftuarit, ndërkohë që fëmijët e tjerë janë veç një panel i ulur në stol në pritje të artikulimit të pyetjeve. Ka mënyra të tjera për t’i dhënë hapësirë televizive dhe për ta inkurajuar talentin e një fëmije, pa cënuar ndjenjat e fëmijëve të tjerë dhe pa shfokusuar objektivin e programit sipas luhatjeve emocionale të çastit. Është sikur të mbash me hatër një nxënës, ta bësh senator klase, t’i vësh 10 me yll, vetëm sepse i ngacmon ndjenjat zyshës pasi i kujton diçka nga fëmijëria e saj për shembull.”
Një shembull i nxjerrë nga puntata me të ftuar Elita Rudin: Eno bëri 3 pyetje dhe kërceu me Elitën, Xheison bëri 4 pyetje gjithsej, ndërsa fëmijët e tjerë nga 1.