Anonim të lutem

Çmenduria/aventura ime: 10 letrat më të spikatura

Shkruar nga Anabel

1 Maj 2019

Çmenduria/aventura ime: 10 letrat më të spikatura

“Çmenduria ime më e madhe ishte që tentova njëherë të merrja të dashurin në shtëpi. Jetoja atëhere me prindërit dhe normalisht e mora fshehtas. Prita që të flinin prindërit dhe rreth mesnatës i them të dashurit (tani bashkëshorti im) që të ngjitej sipër. Derën e kisha lënë hapur paraprakisht, dmth pa çelës. Shkoj tek derja me ngadalë për ta hapur, kur dëgjoj të ndizet drita e korridorit. Fsheh telefonin në një raft që kemi tek dera dhe bëja sikur isha somnambul. Mami u terrorizua dhe e dëgjoja që nuk dinte ç’të bënte, ndërkohë i dashuri priste te dera. Një tmerr. Më shtriu mami në dhomë dhe e shkreta fjeti me mua se kishte merak. I dashuri kishte pritur shumë pak shyqyr dhe kishte ikur.”

“Kjo tema më kujtoi kohën kur isha në 9-vjeçare. Isha shumë nxënëse e mirë, merrja vetëm 10, por nga ana tjetër isha dhe pak natyrë rebele, jo si ato vajzat që i cilësojmë si ‘peshkope’. Marr një 8 në kimi dhe kisha frikë të shkoja në shtëpi, pasi mami ishte shumë e fiksuar me notat. Nuk e keni idenë sa shumë presion më ushtronte. Mundohej për mirë e di, por që dua të them që e kisha tmerr të merrja 9, jo më 8. Organizoj grupin dhe djeg regjistrin e klasës. U bë gjullurdia në shkollë pasi mesa mbaj mend na thoshin që djegia ose vjedhia e këtyre dokumenteve të institucioneve dënohet me ligj. Si përfundim nuk e mori vesh njeri kurrë që e dogja unë. Në mbledhje me prindër zysha e kimisë ia tha mamit notën, varja u dogj regjistri kot.”

“Çmenduria ime më e madhe ka qenë kur isha me pushime në Itali dhe më patën ikur dajat në Shqipëri. Isha vetë unë. Mora makinën e dajës pa patur patentë fare dhe bëja xhiro në qytet natën. Më e forta është se e ngatërrova rrugën dhe përfundova në një nga ato autostradat me pagesë dhe s’kishte punonjës për të bërë pagesën dhe ç’bëra? E ktheva makinën kundravajtje në autostradë deri sa dola në rrugë normale.”

“Çmenduria ime? U bëra tap për Pashkët dhe i thashë shokut tim të universitetit që kam ndjenja për të. Përgjigjja e tij: Do të doja shumë të krijonim një lidhje pasi edhe unë kam ndjenja për ty, por në këtë periudhë të jetës sime nuk mundem.”

“Për çmenduri mos e pyet se kokrrën e namit lë kudo, sa ndonjëherë kur s’më ndodh ndonjë ‘e pabërë’ kontrolloj temperaturën a jam apo nuk jam mirë. Çmenduria e fundit më ka ndodhur para 3 javësh kur do kaloja doganën dhe në vend t’i them grekut ‘jasu palikari’, i thashë ‘jasu varik*rin’. U përpoqa ta mbaja seriozitetin gjasme si gocë e urtë, por kur pashë 20 veta mbrapa meje që ia plasën të qeshurës, aty shpërtheva dhe vetë. Mirë kjo, po greku që më shihte në dritë të syrit dhe vazhdonte ‘ne? ti les?’.”

“Unë jam një Shigetar, vetëm çmendurira bëj çdo 30 minuta. Hera e fundit që u shënua budallalliku im ishte kur futa telefonin në lavatriçe pa mendje dhe pija kafen me gjithë qejf në ballkon. Kur kujtohem pas një ore, më iku truri; nuk dija çfarë të bëja.”

“Aventura ime më e bukur është që lë rreth 5 mijë euro në vit lart e poshtë nëpër trena të takoj të dashurin. Ky muhabet ka rreth 3 vite. Lidhja i ka këto. Kam një adrenalinë të veçantë se mezi presim të takohemi me njëri-tjetrin.”

“Ka qenë viti 2015, ishte e shtunë dhe dal me shoqërinë për të festuar ditëlindjen e një shoqeje. Çdo gjë shkoi mirë e bukur deri në momentin që do ktheheshim në shtëpi. Tek parkimi, në vend që të hipja tek makina e shoqes, hipa tek makina e një të panjohuri. E bukura ishte kur u nis, unë isha mbrapa dhe ai kujtoi se ishin miqtë e tij. E kam gjetur veten 70 km larg shtëpisë e taksirat për atë çunin. Unë gjumë si e vdekur mbrapa në makinë. Kur kam dal, ai i tha shokëve të vet ‘po kjo?’. Ata i thanë që ‘kujtuam se ishte me ty’.”

(Pak humor) “A quhet çmenduri të kalosh pllakat ndërkohë që mami sapo ka larë?”

“Isha para disa vitesh në Gjermani për disa ditë tek kushërinjtë. Në drekë, më dërgojnë në market për të blerë disa gjëra dhe më pyesin nëse e gjeja dot shtëpinë. Po i them unë, e sigurt. Kthehem nga mini-marketi, por ato ishin 3 shtëpi njësoj. Unë fiksova shtëpinë, ato të tjerat nuk i pashë fare. Shkoj direkt tek shtëpia e parë, trokas, rri pres 4-5 minuta dhe pastaj hapet dera. I lashë ato që bleva në tokë dhe as që e pashë fare kush e hapi derën. Ngre qeset dhe toka dhe futem direkt, gjithë inat dhe thoja ‘më latë në këmbë me qeset te dera’. E kuptova që isha gabim kur po kërkoja kuzhinën që të fusja gjërat dhe pashë atë djalin që më shihte. Për fat ishte shqiptar se nuk dija as gjermanisht ç’ishte më e bukura. Për shkak të kësaj çmendurisë sime, sot jemi miq shumë të mirë me njëri-tjetrin."