Cover Story

Nora Istrefi - Ju riprezantojmë Norën!

Shkruar nga Dalina Buzi

8 Maj 2012

Nora Istrefi - Ju riprezantojmë Norën!

Fshini çdo gjë që keni dëgjuar për Nora Istrefin, çdo mendim që keni krijuar ndërsa e keni parë nëpërmjet ekranit dhe prezantohuni me të nga fillimi në këtë intervistë me Dalina Buzin! Nuk para vij në Tiranë këto kohë, por sapo më ftove për të qenë në kopertinën e ‘Anabelit’, vendosa të vij menjëherë”, tha Nora, ndërsa mblidhnim të gjitha pajisjet e veshjet që përdorëm në setin e saj fotografik. Ende e ndjen të ftohtët nga fotografitë në ujin e pishinës së “Rognerit”, edhe pse gjatë sesionit nuk u ankua asnjëherë. Duke u dridhur, vishej e zhvishej e përpiqej të dëgjonte me vëmendje sugjerimet e Gelit. Norën nuk e njihja më parë dhe, të jem e sinqertë, duke gjykuar ftohtësinë e saj nga ekrani apo njëfarë serioziteti alla Beckham, që shihej sa herë intervistohej apo fotografohej, nuk prisja një buzëqeshje diellore prej saj, nuk prisja as dikë që të bënte një diva entrance e të kthente koka, pasi kisha përshtypjen që ishte pak e turpshme. Dhe nuk gabova.

Nora nuk të hidhej në qafë, nuk fliste pa fund e të bënte “hajgare” gjatë photoshoot-it, por as hapte e mbyllte celularin apo të zhdukej me minuta të tëra në telefonata “sekrete”, që zgjasnin pafund. Ajo mund të mos ishte diva-esque në sjelljen e saj, por kishte diçka që shumë rrallë shihet tek të tjerë: Klas! Një klas që nisi që me korrektësinë e saj të jashtëzakonshme në orar e përfundoi me përkushtimin gjatë photoshoot-it për të ndjekur të gjithë sugjerimet e Gelit. Gjatë asaj seance, falë grimit të Lindës, ne rizbuluam Norën, me tipare aziatike, një fytyrë e bukur që do të shiste si modele në Lindjen e largët, atje ku miksimet Azi-Kaukaz janë më të preferuarat. Por Nora qesh. “Të paktën ruaj këtë lloj grimi natyral”, i them. Nora ngre supet. Nuk e di se sa mund të ma premtojë këtë. Është look-u që pëlqen më shumë, por shumë pak dinë t’ia ekzekutojnë në Prishtinë, aty ku, si në Tiranë, theksi vihet tek grimi i rëndë. Të nesërmen e intervistës, na shoqëroi edhe i fejuari i saj, Roberti, i cili – më duhet ta pranoj – është një nga meshkujt më tërheqës që kam parë në showbiz-in shqiptar: një miksim midis Keanu Reeves-it dhe Dermot Mulroney-t. Roberti, i diplomuar për piano, fliste me qetësinë dhe mirësjelljen e dikujt të rritur prej vitesh si ai, në Amerikë. Nuk ndërhynte gjatë intervistës, madje më shumë rrinte në rolin e një dëgjuesi të kujdesshëm. Nora dhe Roberti mund të bëjnë fëmijë yje, por ata nuk e kanë në mendje të krijojnë familje tani. Janë ende në kulmin e karrierës. Dhe siç e kanë nisur, do të ecin shumë gjatë. Të paktën po të konsiderosh që Nora e di se çfarë po bën dhe e di se çfarë duhet të bëjë për të qëndruar në këtë biznes, duke nisur që nga detaji më i thjeshtë: Ardhja në orar.

Nora, më bëri shumë përshtypje korrektesa dhe përkushtimi yt në setin e fotografisë. Sidomos korrektesa, sepse këtu në Shqipëri, nga eksperienca personale, rrallë më qëllon që të kemi personazhe kopertine kaq të përpiktë me oraret. Dhe, siç të thashë gjatë setit, më bëre të të dua përpara se të të njoh mirë.
Faleminderit. Unë e dua shumë punën time dhe jam e përkushtuar ndaj çdo gjëje që bëj, këndimit në radhë të parë, por edhe pjesëve të tjera që ndihmojnë në muzikë. Çdo gjë e marr shumë seriozisht dhe mundohem të sillem sa më profesionalisht.

Sa ndikon ti në vendimmarrje në karrierën tënde?
Kam njerëz që më ndihmojnë normalisht, kam familjen (mamin dhe motrat), kam Robertin, kam njerëz profesionistë, por edhe unë jam në kontroll të gjithçkaje, nga veshjet tek muzika. Unë kam kryer shkollën e Dizajnit të Modës dhe shumë prej dizajnerëve të njohur në Kosovë i kam pasur shokë klase e konsultohem për çdo gjë.

Megjithatë, vazhdimisht debatohen veshjet e tua. Akuzohesh shpesh se kopjon të famshëm, si Rihanna apo Beyonce…
Kjo temë po më lodh, se më pyesin shpesh edhe në Kosovë. Të them të drejtën, unë jam shumë e ndikuar nga këngëtarë amerikanë. Më pëlqejnë, më frymëzojnë pikë së pari në muzikë. Nuk marr asnjëherë si referim këngëtarë të Ballkanit; nuk më interesojnë as serbët dhe as bullgarët. Dua ata që kanë krijuar biznesin e muzikës, ata që promovojnë trende edhe pse, siç themi ne në Kosovë, janë shumë peshq të mëdhenj për tregun tonë të vogël. Gjithsesi, të më krahasojnë me ata, për mua është diçka shumë e mirë, edhe pse unë dhe Beyonce apo Rihanna jemi shumë të ndryshme, duke nisur nga buxheti që kanë, fitimet etj. Gjithsesi, është mirë të të krahasojnë 1% me një divë, sesa me këngëtaret e rëndomta të Ballkanit.

Në Facebook ekziston edhe një faqe ku shkruhet: “Kënd kopjon Nora Istrefi” dhe jepen shumë foto ku bëhen krahasime, edhe pse personalisht mendoj se krahasimet shpesh janë të ekzagjeruara.
Mua më pëlqen moda, paratë që kam i shpenzoj për veshje të mira; nuk shoh asgjë të keqe nëse qëlloj të kem të njëjtat këpucë të ngjashme me një këngëtar të famshëm. Unë kam një palë Louboutin, ajo tjetra ka 50 palë! Ku është krahasimi këtu?! Ai stilist nuk i kufizon shitjet vetëm për Beyonce-n apo Rihanna-n. Gjithsesi, mendoj që mediat duhet të gëzohen që ka artistë që përcjellin trendet e botës.

Ku bën shopping zakonisht?
Falë profesionit që kam, udhëtoj shpesh, por mendoj se për shopping Londra është më e mira. Aty mund të blesh gjëra të veçanta me pak para, gjëra që janë shumë trendy. Po shkova në Oxford Street, mund të rri aty me orë (ndërkohë, Roberti pohon me kokë).

Si mund ta quash stilin tënd?
Të ndryshueshëm. Nuk e shoh dot veten vetëm me një stil. Në Prishtinë jam pak më sportive, por nëse dua të bëhem elegante... Varet si ndihem në atë moment të caktuar.

Është një faqe që shoh shpesh: “Prishtina Street Style”, ku fotografohen vajza e djem rrugëve të Prishtinës. Kanë një stil shumë të bukur, që nuk e shoh shpesh te këngëtaret kosovare. Si ka mundësi që nuk arrin të përcillet kjo shije edhe në ekran?
Shija është e lindur. Ose e ke në brendësi, ose nuk e ke. Ka këngëtarë që nuk kanë shije në veshje ose nuk shpenzojnë. Gjithsesi, ato mund të zgjidhnin dizajnerin e duhur. Mendoj se edhe veshja seksi është tepruar tek ne, është bastarduar. Të vishesh seksi, nuk do të thotë të zbulohesh kudo e të vishesh cheap, sepse dukesh vulgare.

Ligji yt i modës?
Çfarëdolloj veshjeje duhet të jetë patjetër me klas.

Çfarë s’do të vishje kurrë?
Do të vishja gjithçka! Më pëlqen të eksperimentoj, por, kur them të eksperimentoj, nuk e kam fjalën për stilin Lady Gaga.

Nga frymëzohesh?
Më pëlqen shumë Beyonce, Alicia Keys. Kohët e fundit po më tërheq shumë stili retro i Adele-s dhe Lana del Rey-t. Shije shumë të mirë ka edhe Leona Lewis.

S’na përmende idhujt e modës:
Victoria Beckham dhe Kardashian…Victoria më pëlqen, sepse ajo e dashuron vërtet modën, e ka në shpirt atë dhe ky pasion i lexohet në çdo veshje. Kim Kardashian-i, nga ana tjetër, është një femër padyshim shumë e bukur, por nuk më impresionon aq shumë stili i saj.

Cilat kujton si faux pas në gardërobën tënde të spektakleve?
Ka pasur raste, por në krahasim me kushtet ku punojmë, mendoj se jemi goxha mirë në këtë aspekt. Që në fillim të karrierës, nëse kam dalë keq apo mirë, kanë qenë gjëra që ma ka marrë mendja mua për momentin, ato që mund të sajoja.

Je e dhënë pas çantave dhe këpucëve?
Kam shumë çanta e këpucë, madje përpara se të të takoja, pashë një çantë që më pëlqeu shumë. Kam çanta cilësore, siç kam edhe çanta që nuk kanë emër të njohur, por më pëlqejnë dhe i blej.

Ndërsa, me aq sa nuhata nga ty, Louboutin-i është këpuca jote e preferuar...
Kam tre palë Louboutin. Nuk janë këpucë të rehatshme, por jam përshtatur dhe jam mësuar me to.

E ke provuar ndonjëherë pa taka?
Në Nju-Jork dhe doja t’i merrja, por s’ishin numri im. Në disa faqe online, njerëzit shkruajnë që ato janë shumë të rehatshme.

Të flasim pak për klipin më të fundit “S’ki me ik”. Titull i gjetur?
Ishte gjetje, në fakt, sepse mbetet në vesh të publikut dhe madje dëgjojmë fëmijët të këndojnë “s’ki me ik”.

E kujt ishte ideja?
E “Entermedia-s”, një produksion kosovar.

Sa ndikon ti tek klipet e tua?
Unë mendoj se duhet të investosh sa më shumë në klipe, që të jenë sa më profesionale. Përqendrimin kryesor, normalisht e kam tek këngët, sepse, nëse kënga s’është e mirë, ç’vlerë ka klipi?! Mendoj se po bëhet një punë e mirë për klipet, ka nisur të shpenzohet dhe tani madje shumë artistë po preferojnë të filmojnë edhe në vende të tjera.

Trendi i Gaga-s u eklipsua këtë vit nga trendi i thjeshtësisë, i Adele-s dhe i Lana del Rey-t, ku primare është kënga dhe vokali. Këtu tek ne më duket sikur është ende e vështirë të bësh diçka të thjeshtë, por cilësore. Kërkojmë më të ndërlikuarën, më të zhurmshmen, si në veshje, ashtu edhe në këngë, aq sa mezi kuptojmë zërat e këngëtarëve.
Adele-s, Zoti i ka dhënë një dhuratë kaq të madhe! Atë zë mund ta kenë një ose dy veta në krejt botën. Ka qenë me fat që është zbuluar dhe është tashmë pjesë e skenës botërore. Për sa u përket këngëtareve në Shqipëri, mendoj se secila është e talentuar në mënyrën e saj, por si menaxhohet, si orientohet dhe çfarë këngësh zgjedh, kjo është e rëndësishme. Nëse këngët të shkojnë ty dhe vokalit tënd, atëherë njerëzit do të pëlqejnë dhe do të kesh sukses. Por nëse nuk e di se çfarë do edhe po të jesh femra më e talentuar në botë, atëherë s’do të kesh sukses. Shumë gjëra bëhen për biznes, por menaxhimi i talentit është tepër i rëndësishëm.

Unë jam me shprehjen 1% talent dhe 99% punë. Besoj se puna ka shumë rëndësi...
Patjetër, duhet një përqendrim maksimal për çdo gjë. Në këtë treg kaq të vogël, ku ka kaq shumë këngëtarë, duhet të veçohesh. Ndaj s’duhet të lësh mënjanë asnjë detaj që nga veshja, kërcimi, mënyra si prezantohesh e deri tek klipet.

Si këngëtare që je, beson se duhet të ushtrohesh vazhdimisht me vokalin apo ia ke lënë në dorë vetëm koncerteve live e natyrës?
Nuk mund të them se marr kurse këndimi, por ushtrohem më tepër në shtëpi. Kam fat që Roberti është pianist dhe më ndihmon.

Çfarë do të doje të këndoje nëse do të kishe mundësi? E kam fjalën për ndonjë këngë të huaj…
Ka shumë këngë, por më kanë pëlqyer kohët e fundit disa balada të Adele-s nga albumi i saj i fundit. Balada është tepër e vështirë të realizohet.

Pse është e vështirë?
Sepse mendoj që kompozitori është ai që do të krijojë një baladë të mirë, një baladë që do t’i shkonte për shtat tipareve të zërit të këngëtares. Por ja që është po aq e vështirë që të gjesh kompozitorë të gatshëm për të krijuar baladën perfekte. Ta bësh, thjesht kërkon më shumë punë. Të gjithë janë përqendruar tek ritmi, sepse ato shesin dhe kanë harruar baladat. Këngët ritmike preferohen në koncertet nëpër diskoteka dhe, për ne këngëtarët, është e nevojshme të kemi një repertor që na shërben në koncertet tona, që më së shumti përqendrohen në ambiente me energji. Por mendoj që një baladë e mirë lë gjurmë dhe i jep shtysë karrierës, por edhe imazhit si artist, edhe pse është shumë e vështirë ta bësh superhit.

Nuk të shohim shpesh në Tiranë, aq sa shohim shumë kolege të tuat nga Kosova...
Unë e dua Tiranën, por ne jemi gjithmonë në lëvizje dhe një pjesë të mirë të koncerteve e kemi jashtë Kosovës. Tani që është bërë më e thjesht ardhja, do të jem edhe më e pranishme.

Ju jeni dy motra, keni një vëlla dhe nënën. Je shumë e lidhur me familjen?
Shumë, shumë. Gjithmonë jam e shoqëruar në koncerte ose nga motra, ose nga mami. Mamaja s’ka qenë asnjëherë menaxherja ime, por më ka ndihmuar shumë. Ka shumë rëndësi fjala e saj për mua, ajo ka qenë këngëtare në kohën e vet, kur unë kam qenë shumë e vogël. Por e ka lënë këndimin, sepse u martua dhe duhej t’i përkushtohej familjes. Gjërat kanë qenë më të vështira atëherë. Nëna dikur këndonte këngë patriotike, folklorike, por punën e showbiz-it e kupton deri diku, ndaj gjithmonë i konsideroj këshillat e saj. Babai më ka vdekur prej 10 vjetësh.

Nora, qëkur të takova për herë të parë, të them të drejtën, m’u duke shumë e tërhequr, gati e turpshme. Përshtypje e gabuar?
Jam e qetë, jam më e turpshme nga ç’kujtojnë njerëzit dhe fatkeqësisht kjo është interpretuar për mendjemadhësi. Në skenë ndryshoj tërësisht, por mendoj se kështu duhet të jetë për artistët, ajo çfarë ndodh në skenë i përket vetëm asaj.

Është e vështirë të bësh miq në rrethin tuaj?
Është e vështirë.

Motrat këndojnë?
Motra e vogël Era ka kënduar tek “Gjeniu i vogël”. Ne nuk i jemi imponuar asaj të merret me muzikë, edhe pse ka talent, por e kemi lënë në dëshirën e saj; do ta vendosë ajo se çka do të bëhet.

Është e vështirë të bësh shoqe në rrethin tuaj?
Është e vështirë, sepse njerëzit mundet të shfrytëzojnë disa gjëra të thata. Kam mësuar me kohën që të mos flasë shumë. Unë e ruaj shumë edhe shoqërinë e vjetër. Kam shumë shoqe, një pjesë e tyre jetojnë jashtë Kosovës, por mirë që tani është Facebook-u, që na e lehtëson komunikimin.

Çfarë do të bësh tani që do të shkosh në Prishtinë?
Do të përgatitem për verë. Ka filluar të më mërzitet pak kjo puna e verës, por edhe të nxjerr një album me këngë të reja kushton shumë e nuk ka përfitime, për shkak të piraterisë.

Ndërkohë, koncertet duan këngë të reja, mundësisht, siç thashë edhe më parë, të jenë të gjitha ritmike. S’kemi ç’të bëjmë, ky është biznes! Je e kënaqur financiarisht nga ky biznes?
Është OK për një jetë normale, është mirë. Sikur të mos ishte koncerti i vetmi përfitim për ne këngëtarët, do të kishte qenë edhe më mirë.

Bëmë foto, pimë kafe, ti ece nëpër Tiranë me shumë stil dhe askush s’e mori vesh. Të pëlqen të jesh kaq incognito ndaj medias?
Mua nuk më intereson aq shumë të përflitem në media, në rast se nuk ka të bëjë me një punë timen, që dua ta promovoj. Nuk kërkoj vëmendje, por as nuk jam nga ato që, nëse del pa dijeni në gazeta, merr në telefon. Reagoj vetëm kur ka gjëra që lëndojnë familjen time, kurse për gjëra të tjera, nuk është se më intereson shumë. Unë e di mirë se kush jam e çfarë dua dhe kjo ka rëndësi.

NORA SIPAS ROBERTIT
Nora është e qetë, origjinale dhe e drejtë dhe këto të tria të bëjnë ta duash.
Nëse Nora dhe unë nuk do të ishim në të njëjtin profesion, do ta kishim shumë të vështirë, por ajo më kupton më mirë ashtu siç e kuptoj edhe unë punën e saj.
Nora e kupton nevojën time për liri dhe është aq fleksibël sa ç’duhet.
Nora nuk është përpjekur të më ndryshojë, por normalisht në një marrëdhënie duhet të ndryshosh ca gjëra tek vetja për t’u përshtatur, megjithatë, çdo gjë që e kam bërë, e kam bërë me qejf.
Nora është e çmendur pas shopping-ut. Nëse futet në një qendër tregtare, prite të dalë që atje pas disa orësh.