Thuajse gjashtë muaj pas ndarjes nga jeta të ish bashkëshortes së Sean “Diddy” Combs, Kim Porter, muzikanti flet për herë të parë për prezencën e saj në jetën tij edhe pse ajo s'është më.
Në kopertinën e revistës Essence, Diddy tregoi dhe fjalët e fundit që i tha Kim. Ato fjalë i dhanë formë reagimit të tij pasi mori vesh lajmin.
“Tre ditë para se të vdiste, ndihej sëmurë,” shpjegon Diddy. “Ishte me grip dhe m’i solli fëmijët mua që të mos sëmureshin dhe ata.”
“Një natë, e mora në telefon për ta pyetur si ishte dhe më tha ‘Puffy, kujdesu për fëmijët e mi.’ Me tha ekzaktësisht këto fjalë para se të vdiste.”
Diddy thotë se ato fjalë i kumbonin në vesh mëngjesin kur mori vesh ndarjen nga jeta të Kim.
“U shndërrova në një nënë,” thotë ai për Essence. “Dërgova njerëz kudo që fëmijët të mos e merrnin vesh nga rrjetet sociale a nga media.”
Diddy dhe Kim Porter bënë tre fëmijë bashkë – Christian, 21 vjeç dhe binjaket Jessie James dhe D’Lila, 12 vjeçe. Diddy gjithashtu ndihmoi në rritjen e djalit të Kim, Quincy, 27 vjeç, nga një lidhje e mëparshme e saja.
“M’u desh të shkoja te shkolla e vajzave, të gjeja ku ishte Quincy, në një sheshxhirim në Atlanta. Christian po udhëtonte dhe i bllokova telefonin që të mos e lexonte lajmin në fluturim,” shpjegon Diddy.
Diddy thotë se “qau dhe bërtiti” kur mori vesh ç'kishte ndodhur, por në atë moment, mendoi për fjalët e fundit të Kim.
“Po i lutesha Zotit dhe menjëherë m’u kujtua zëri i Kim. E dëgjoja të më thoshte ‘kujdesu për fëmijët e mi.’”
Që prej ndarjes nga jeta të Kim, Diddy është më i angazhuar me familjen.