KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Muzika

Pa prit pak: Pse Ariana Grande u pagua sa dyfishi i Beyoncé-s në Coachella?

Shkruar nga Anabel

20 Prill 2019

Një vit më parë, Beyoncé hyri në histori si gruaja e parë më ngjyrë që kryesonte festivalin Coachella. Një vit pas saj, Ariana Grande u bë artistja më e re që kryesonte Coachella-n.

Për të qenë të drejtë me Ariana-n, ajo ka edhe një shfaqje të fundit këtë fundjavë, por gjykuar nga performancat e kaluara, vështirë që të tejkalojë Beyoncé-n. Nisur nga ky fakt, është e kuptueshme pse fansat u habitën kur u njoftua se Grande u pagua sa dyfishi i Beyoncé-s. “Ariana Grande është e talentuar, por nuk është ende Beyoncé,” shkruhet në shumë postime në rrjete sociale.

Sipas Variety, ylli i “Thank U, Next” u pagua rreth 8 milionë dollarë, ndërsa Beyoncé 3-4 milionë dollarë. Ndërsa sipas The Blast, këngëtaret u paguan njësoj, nga 4 milionë dollarë për çdo fundjavë. Për momentin, nuk ka ende një reagim zyrtar nga organizatorët e Coachella-s.

Megjithatë nuk është çudi që Beyoncé të jetë paguar sa gjysma e Ariana-s, dhe kjo në favorin e saj. Bey vërtet është artiste, por është edhe sipërmarrëse e zonja. Në rast se nuk jeni në dijeni: Këngëtarja pati të drejta ekskluzive të performancave, të cilat i përdori për të realizuar një dokumentar në Netflix, “ΗΘΜΣCΘΜΙΝG: A Film By Beyoncé”. Përpos kësaj, i përdori ato për një realizuar një album live, të cilin mund ta dëgjoni në Apple Music, iTunes dhe Tidal.

Pra, (1) fitime nga dokumentari i Netflix (2) fitime nga albumi. Llogaritë bëjini vetë.

MOS I HUMBISNI